Kombëtaret e moshave: Talente largohen drejt Italisë

EKSKLUZIVE/ Çfarë po ndodh me kombëtaret e moshave? Italia rekruton dy talente që shkëlqyen me Shqipërinë vetëm pak ditë më parë

Kombëtaret e moshave të Shqipërisë janë kthyer në një pikë ku lojtarë të rinj po largohen drejt përfaqësueseve të tjera, pak kohë pasi kanë luajtur dhe shkëlqyer me fanellën kuqezi.

Rasti i Leon Myrtajt, i cili u largua në tetor nga Shqipëria, ku kishte luajtur në Europianin U17 gjatë verës, për t’u bashkuar me Hungarinë, nuk është i vetmi. Pritet që edhe elementë të tjerë të ndjekin të njëjtën rrugë.

Kjo situatë vërtetohet nga fakti se dy talente të rinj, Samuel Prendi dhe Deni Duka, kanë marrë ftesë nga Italia, vetëm pak ditë pasi u shprehën me formë të lartë me kombëtaren shqiptare.

Mesfushori Samuel Prendi i Atalantës, dy javë më parë ishte pjesë e Kombëtares U15 të Shqipërisë, duke marrë pjesë në turneun “UEFA Development”. Ai ishte titullar në të tre ndeshjet dhe shënoi golin e fitores 1-0 ndaj Maqedonisë së Veriut. Menjëherë pas kthimit në Itali, ai është ftuar nga Italia U15.

Deni Duka, mesfushor i Juventusit, ishte pjesë e Shqipërisë U15 në miqësoret kundër Maltës në shtator. Ai asistoi pikërisht Prendin në fitoren 3-2 ndaj Maltës. Edhe për Dukën, ftesa nga Italia nuk ka vonuar, duke treguar përpjekjet e tyre për ta përfshirë lojtarin në sistemin e tyre të kombëtareve të moshave.

Këto raste të dyfishta, në një periudhë të shkurtër kohore, ngrenë dyshime mbi mënyrën e menaxhimit të kombëtareve të moshave nga drejtoria teknike, e drejtuar nga italiani Fulvio Pea. Eksode të tilla nuk kanë qenë të zakonshme më parë.

Shtesa e këtyre ngjarjeve, bashkë me ankesat publike të lojtarëve të U17 drejtuar ish-trajnerit italian Andrea Tedesko, i cili u largua pas dështimeve radhazi, tregojnë qartësisht se ka probleme në funksionimin e futbollit të moshave në FSHF. Duket se nuk po arrihet të përcillet siç duhet elementi bazë për të qenë pjesë e kombëtareve të Shqipërisë: dashuria e pakushtëzuar për fanellën kuqezi.

Scroll to Top