PAMJET: Avioni turk me 20 persona në bord u rrëzua në Gjeorgji
Një aeroplan transporti ushtarak C-130, i përket Forcave Ajrore Turke, u rrëzua në Gjeorgji, pak pas ngritjes nga Azerbajxhani.
Pamjet e shpërndara në mediat sociale tregojnë avionin duke humbur lartësinë dhe duke lëshuar një gjurmë të gjatë tymi para se të rrëzohej.
Lajmin e konfirmoi edhe Ministria Turke e Mbrojtjes në një deklaratë. Në bord ndodheshin 20 persona, të cilët humbën jetën.
„Me hidhërim të thellë, mësuam se avioni ynë ushtarak C-130, gjatë rrugës nga Azerbajxhani për në vendin tonë, u rrëzua në kufirin Gjeorgji-Azerbajxhan,” – deklaroi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan. „Përpjekjet tona për të rikuperuar rrënojat vazhdojnë në koordinim me autoritetet përkatëse. Zoti i mëshiroftë viktimat dhe qofshim me ta në lutjet tona,” – shtoi ai.
Avioni C-130 turk po fluturonte në një lartësi prej rreth 8000 metrash kur filloi të humbiste lartësinë.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yarlikaya, bëri të ditur se pati një bisedë telefonike me homologun e tij gjeorgjian, Gela Geladze.
Shkaqet e rrëzimit janë ende të paqarta. Po hetohet për një defekt teknik, por në rrjetet sociale nuk përjashtohet mundësia që avioni të ketë shpërthyer për shkak të një bombe në bord ose nga goditja me ndonjë raketë.
