Anglia, mungesa të reja, grumbullohen dy lojtarë

Trajneri i Anglisë, Tomas Tuhel, po përballet me humbjen e dy lojtarëve të dëshiruar për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Serbisë dhe Shqipërisë. Pavarësisht se “Tre Luanët” kanë siguruar tashmë vendin e parë dhe kualifikimin për turneun e ardhshëm, trajneri synon të vëzhgojë lojtarë të rinj në këto dy sfida për të finalizuar ekipin që do të udhëtojë drejt SHBA-së.

Megjithatë, Entoni Gordon dhe Nik Pop janë tërhequr nga grumbullimi për shkak të dëmtimeve të pësuara gjatë fundjavës në radhët e Njukasëllit. Ndërkohë, Mark Guehi, lojtar i Kristal Palas, është paraqitur në grumbullim, por do të qëndrojë nën vëzhgimin e stafit mjekësor, i cili ende nuk ka vendosur nëse ai do të jetë në gjendje të rikuperohet në kohë, të paktën për ndeshjen në Tiranë.

Për të plotësuar radhët e skuadrës, trajneri Tuhel ka grumbulluar dy lojtarë të tjerë: Trevor Çelobah nga Çelsi dhe Xhejms Traford nga Mançester Siti. Ata i janë bashkuar ekipit dhe do të jenë në dispozicion për dy ndeshjet e ardhshme.

PANORAMASPORT.AL

Scroll to Top