Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendos shkarkimin e prokurores Miranda Bushi
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar përfundimisht nga detyra prokuroren e Tiranës, Miranda Bushi, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla (kryesuese), Sokol Çomo (relator), Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz (anëtare), shpalli vendimin për çështjen që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Miranda Bushi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi në mënyrë unanime lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Miranda Bushi.
“Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftim.
Më 25 maj 2023, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte vendosur shkarkimin e prokurores Bushi pasi ajo nuk arriti të justifikonte blerjen e disa pasurive të paluajtshme. Bushi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse për profesionalizmin.
