Ekzekutimi dhe djegia e një ndërtuesi shqiptar në Greqi mbetet mister për Policinë
Ekzekutimi dhe djegia e një ndërtuesi shqiptar në Greqi vazhdojnë të jenë enigmatike për Policinë greke. Ndërtuesi 27-vjeçar Sulo Halili, nga Tepelena, u gjet i lidhur me pranga, i vrarë dhe i djegur brenda një makine të vjedhur në Skourta, Beoti.
Familjarët kishin njoftuar humbjen e tij që prej datës 4 nëntor. Tre ditë më vonë, një bari i zonës njoftoi për makinën e djegur, brenda së cilës u gjet trupi i riut nga fshati Beçisht.
Hetimet e Departamentit të Vrasjeve janë në fazën kulmore. Rezultatet e testit të ADN-së konfirmuan se viktima është 27-vjeçari Sulo Halili, i cili ishte raportuar i zhdukur nga Halkida.
Autoritetet greke bënë të ditur se Halili banonte në Halkidë, ishte i martuar dhe pa fëmijë. Para zhdukjes, ai i kishte telefonuar familjarëve duke u thënë se po kthehej në banesë.
Zëdhënësja e Policisë Helenike, Constantia Dimoglidou, deklaroi se viktima nuk ishte i njohur për policinë pasi nuk kishte pasur precedentë penalë të regjistruar. “Ai nuk ka qenë shqetësim për Policinë Helenike në të kaluarën,” tha ajo.
Pyetja kryesore për hetuesit mbetet kush dhe përse ka vrarë në mënyrë brutale një ndërtues të ri dhe pa skeduar penalisht. Autoritetet po përpiqen ta zgjidhin krimin duke profilizuar viktimën.
Si pista e mundshme, mbetet ajo e ndonjë konflikti apo hakmarrjeje. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse ai kishte pasur ndonjë mosmarrëveshje me dikë dhe nëse ishte kërcënuar.
Policia po shqyrton gjithashtu postimet në profilin personal të viktimës në TikTok dhe aplikacione të tjera, për të përcaktuar me kë komunikonte dhe nëse kishte pasur ndonjë takim në ditën e zhdukjes së tij.
Sipas autoriteteve, në trupin e 27-vjeçarit u gjet një fragment plumbi, ndërsa policia vlerëson se autorët e kanë ekzekutuar atë dhe më pas i kanë vënë flakën trupit.
