Veliaj: Seanca paraprake për akuzat e korrupsionit dhe krimit

Sot zhvillohet seanca paraprake për Erion Veliajn, ku në dosje janë përfshirë 28 persona.

Sot do të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca paraprake për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të vendosur nëse çështja do të kalojë për gjykim.

Në këtë dosje, përveç Veliajt, janë përfshirë 28 persona dhe shoqëri. Mes tyre, përmenden edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka.

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e Veliajt dhe personave të tjerë më datë 10 shtator.

Veliaj akuzohet për përfshirje në 9 raste korrupsioni, pastrimi parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv në 9 raste, lidhur me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi rikthimin e Erion Veliajt në detyrën e kryetarit të bashkisë, duke rrëzuar vendimin e shkarkimit të tij, gjë që solli edhe anulimin e zgjedhjeve të parakohshme për Tiranën.

Scroll to Top