KPA lë në fuqi konfirmimin e prokurorit Arben Agovi
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shpalli të mërkurën vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të prokurorit të Tiranës, Arben Agovi. KPA konsideroi se gjetjet në aspektin profesional ishin të pamjaftueshme për ta dërguar subjektin për trajnim njëvjeçar në Shkollën e Magjistraturës, siç ishte kërkesa e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.
Arben Agovi ishte konfirmuar në detyrë më 13 dhjetor 2023. Megjithatë, Komisionerja Publike, Irena Nino, e kishte ankimuar këtë vendim, duke e konsideruar të pabazuar vendimarrjen e shkallës së parë të vetingut. Nino argumentoi se subjekti nuk arrinte një nivel të besueshëm për shkak të problemeve të konstatuara në kriterin profesional dhe në vlerësimin tërësor të çështjes. Fillimisht, ajo kërkoi shkarkimin e Agovit.
Pas paraqitjes së parashtrimeve nga palët, gjatë konkluzioneve përfundimtare, drejtuesi i SPAK ndryshoi qëndrimin e tij. Ai kërkoi që Agovi të detyrohej t’i nënshtrohej një trajnimi njëvjeçar në Shkollën e Magjistraturës, pasi ishin konstatuar hetime të paplota në pesë çështje.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i subjektit, avokati Julian Mërtiri, parashtroi se veprimet hetimore të kryera nga Agovi kishin qenë të plota, të detajuara dhe vendimtare për zgjidhjen e çështjes. Ai i cilësoi shkaqet e ngritura si të pamjaftueshme për të cënuar konfirmimin në detyrë të subjektit.
Kolegji, gjatë shpalljes së vendimit, konstatoi se pamundësia financiare ishte e një mase të tillë që nuk mund të sjellë penalizim. Gjithashtu, disa prej gjetjeve në kriterin e profesionalizmit nuk u vlerësuan të mjaftueshme për të justifikuar detyrimin e prokurorit Agovi për t’u trajnuar një vit në Shkollën e Magjistraturës. Për rrjedhojë, u la në fuqi vendimmarrja e Komisionit për konfirmimin në detyrë të këtij subjekti rivlerësimi.