Ora e artë e njërit prej pasagjerëve të Titanikut, që u ndal në momentin e fundosjes së anijes, do të dalë në ankand për mbi 1 milion euro.
Një orë xhepi prej ari, e cila i përkiste Isidore Strauss, njërit prej pasagjerëve më të pasur të Titanikut, i cili humbi jetën më 14 prill 1912, do të nxirret në ankand më 22 nëntor nga shtëpia e ankandeve Henry Aldridge & Son. Ora është vlerësuar deri në 1 milion paund.
Ora u gjet nga trupi i tij disa ditë pas tragjedisë. Isidore Strauss, një biznesmen amerikan i lindur në Bavari, politikan dhe bashkëpronar i dyqanit Macy’s në Nju Jork, udhëtonte me bashkëshorten e tij, Ida, kur Titaniku u përplas me një ajsberg dhe u fundos, duke marrë jetën e më shumë se 1.500 personave.
Ida refuzoi një vend në një nga varkat e shpëtimit për të qëndruar pranë burrit të saj; trupi i saj nuk u gjet kurrë.
Ora, një model Jules Jurgensen 18 karatësh, u ndal në orën 2:20 të mëngjesit, në kohën kur anija po fundosej. Besohet se ka qenë një dhuratë nga Ida për Isidoren në vitin 1888 dhe mban inicialet e tij të gdhendura.
Pas gjetjes së trupit të Strauss, ora iu dorëzua familjes, derisa stërnipi i tij, Kenneth Hollister Strauss, e riparoi dhe e restauroi atë.
Ankandisti Andrew Aldridge, nga Henry Aldridge & Son, u shpreh për BBC-në: “Me këtë orë po ritregojmë historinë e Isidorit. Është një pjesë e mrekullueshme e kujtesës historike.”
Ora do të shfaqet në ankand së bashku me një letër të rrallë nga Ida, shkruar gjatë udhëtimit, në të cilën ajo përshkruan luksin dhe ambientet e jashtëzakonshme të Titanikut. “Çfarë anijeje! Kaq e madhe dhe kaq madhështore e mobiluar,” shkroi ajo në letër, e cila mban vulën postare “TransAtlantic 7” nga zyra postare e Titanikut.
Henry Aldridge & Son do të ofrojnë të dy artikujt më 22 nëntor, me letrën e vlerësuar në 150,000 £. Ora pritet të bëhet një nga reliket më të shtrenjta të Titanikut që janë ofruar ndonjëherë në ankand.
