Berisha kthehet në SHBA pas 5 vitesh: pritja në aeroport

Pas 5 vitesh, Berisha rikthehet në SHBA: Publikon pamjet nga pritja në aeroport

Shef Sali Berisha ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar kështu vizitën e tij të parë pas heqjes së ndalimit për udhëtim drejt SHBA-së.

Kreu i Partisë Demokratike ka ndarë në rrjetet sociale momente nga pritja që i është bërë në aeroport. Ai ka shkruar: “Përtej oqeanit, një pritje shqiptare, një moment mirënjohjeje”.

Berisha u nis drejt SHBA-së më 4 shtator, duke e cilësuar udhëtimin si një moment të rëndësishëm politik. Ai e krahasoi këtë vizitë me udhëtimin e tij të parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1991, duke deklaruar para nisjes nga aeroporti i Rinasit: “Ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë”. Ai shtoi se do të takonte miqtë e tij dhe do t’u thoshte atyre: “Unë erdha”.

Pas mbërritjes në SHBA, kryedemokrati ka publikuar pamje nga aeroporti, ku u prit nga mbështetës dhe bashkatdhetarë shqiptarë që jetojnë në Amerikë. Vizita e Berishës vjen rreth pesë vite pas shpalljes së tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara. Në qershor të këtij viti, SHBA i hoqi masën që e pengonte të udhëtonte drejt territorit amerikan, duke i hapur rrugë rikthimit të tij.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Berisha pritet të zhvillojë takime me diasporën shqiptare dhe të marrë pjesë në aktivitete të lidhura me Partinë Republikane amerikane. Një nga takimet e paralajmëruara është ai me shqiptarët e Amerikës, i cili do të mbahet më 6 shtator në New Jersey, si pjesë e aktivitetit “Freedom Works”. Megjithatë, vetë Berisha ka sqaruar se nuk ka një takim të planifikuar me presidentin amerikan Donald Trump.

Në deklaratën e tij para nisjes, Berisha lidhi rikthimin në SHBA edhe me zhvillimet politike në Shqipëri, duke shprehur besimin se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin shqiptarët në përpjekjen kundër asaj që ai e cilëson si “diktaturë autoritare”. Rikthimi i tij në territorin amerikan, pas një periudhe të gjatë tensionesh politike me Uashingtonin, pritet të shoqërohet me një axhendë të ngjeshur takimesh me diasporën dhe përfaqësues të qarqeve politike amerikane.

Scroll to Top