Vetëm 4 qarqe kanë rritur peshën në ekonomi gjatë viteve 2019-2023, 8 të tjerat janë në rënie
Viti pas viti, aktiviteti ekonomik po përqendrohet gjithnjë e më shumë në zonën metropolitane Tiranë-Durrës, ndërkohë që pesha e qarqeve periferike të vendit po vjen në rënie. Të dhënat zyrtare rajonale nga INSTAT tregojnë se në vitin 2023, Tirana kontribuonte me 44 për qind të PBB-së kombëtare. Përgjatë periudhës 2019-2023, Tirana ka rritur peshën e saj me 1.2 pikë përqindje në PBB-në kombëtare, ndërsa Durrësi me 0.6 pikë përqindje.
Këto zhvillime tregojnë për zgjerimin e ekonomisë në zonat metropolitane dhe bregdetare, të mbështetura nga sektorët e shërbimeve, ndërtimit dhe turizmit. Edhe Vlora dhe Berati kanë shënuar rritje modeste, përkatësisht me 0.2 dhe 0.1 pikë përqindje, ndërsa Shkodra ka ruajtur të njëjtën peshë ekonomike përgjatë viteve 2019-2023.
Në krahun tjetër, pjesa më e madhe e qarqeve të tjera ka humbur terren në kontributin ndaj ekonomisë kombëtare. Korça rezulton me rënien më të madhe, duke humbur 0.7 pikë përqindje në periudhën 2019–2023, e ndjekur nga Fieri, Gjirokastra dhe Lezha me rënie nga 0.3 pikë përqindje secila. Edhe Kukësi, Dibra dhe Elbasani kanë pësuar tkurrje më të lehtë në peshën e tyre në PBB kombëtare.
Kjo zhvendosje e aktivitetit ekonomik drejt zonës Tiranë-Durrës tregon për thellimin e pabarazive rajonale në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa qarqet juglindore dhe veriore përballen me rënie të aktivitetit ekonomik dhe humbje të rolit të tyre në prodhimin kombëtar.
Qarqet e Tiranës dhe Durrësit përfitojnë nga përqendrimi më i madh i investimeve publike dhe private, infrastruktura më e zhvilluar dhe prania e institucioneve qendrore. Zgjerimi i sektorëve të shërbimeve, teknologjisë së informacionit, ndërtimit dhe turizmit në këto zona ka tërhequr gjithashtu biznese dhe fuqi punëtore nga qarqet e tjera. Durrësi përfiton nga logjistika, falë portit më të madh të vendit, dhe nga zhvillimet në turizmin bregdetar, ndërsa Tirana mbetet epiqendra e konsumit, arsimit dhe administratës publike.
Nga ana tjetër, rënia e peshës ekonomike në qarqe si Korça, Gjirokastra, Lezha apo Kukësi reflekton mungesën e investimeve të reja publike dhe private, emigrimin e popullsisë drejt qendrave më të mëdha ose jashtë vendit, dhe tkurrjen e sektorëve tradicionalë si bujqësia apo përpunimi. Shumë prej këtyre rajoneve kanë kapacitete të kufizuara për të gjeneruar vende pune me produktivitet të lartë, ndërkohë që infrastruktura dhe qasja në tregje mbeten të dobëta.
Përqendrimi i aktivitetit ekonomik në Tiranë dhe Durrës po ushtron presion mbi strehimin, trafikun dhe shërbimet publike. Ndërkohë, zonat periferike dhe malore rrezikojnë të mbeten pas në zhvillim, duke thelluar më tej pabarazinë sociale dhe qëndrueshmërinë e tregut të punës. Anëtarësimi në BE do të kushtëzojë Shqipërinë me reforma dhe politika të zhvillimit rajonal si një formë për të shpërndarë zhvillimin ekonomik në mënyrë më të barabartë.
