Studimi i Ilir Çikos: Produktet e njëjta në marketet shqiptare janë 83% më të shtrenjta se në Europë
Studiuesi Ilir Çiko ka prezantuar gjetje paraprake nga studimi i tij, “Indeksi i Konkurrencës në Treg (MCI) për Ballkanin Perëndimor: 2026”. Ky studim, i treti në një seri, analizon nivelin e konkurrencës në tregjet e Shqipërisë dhe rajonit. Nivelet e konkurrencës maten duke vlerësuar aftësinë e tregjeve për të lejuar devijime të çmimeve nga ato të BE-së për produkte identike, të tregtuara nga të njëjtët operatorë europianë. Kjo konsiderohet një faktor kyç që ndikon në deformimet e theksuara në treg.
Sipas një postimi të tij në rrjetet sociale, studimi tregon se të gjitha vendet e rajonit kanë pësuar një përmirësim të lehtë krahasuar me vitin e kaluar, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, e cila shfaq një përkeqësim të lehtë, dhe Malit të Zi, që ka shënuar një përmirësim të konsiderueshëm.
Shqipëria rezulton të jetë tregu me barrën më të rëndë për konsumatorin në të gjithë Ballkanin Perëndimor, me një indeks MCI prej 83, dhe barrën më të lartë për konsumatorin në rajon (që ka si referencë 100). Për konsumatorin mesatar shqiptar, këto rezultate tregojnë se produktet që ai blen në marketet shqiptare, duke përjashtuar efektin e ndryshëm të TVSH-së, kushtojnë mesatarisht 83% më shumë se të njëjtat produkte të shitura nga të njëjtat kompani në tregun Europian. Ndërkohë, fuqia blerëse e tij është vetëm 41% e mesatares së BE-së.
Studiuesi Çiko thekson: “Megjithë thirrjen publike, asnjë nga operatorët e përfshirë në studimin e parë, para dy viteve, nuk ka reflektuar ndonjë ulje të dukshme çmimi në treg, ndonëse Leka vijon të forcohet ndaj Euros. Po kështu, asnjë nga institucionet publike që kanë detyrë të monitorojnë tregun dhe mbrojnë konsumatorin, nuk ka marrë ndonjë masë për këtë fenomen që u kushton 130-260 milionë euro në vit konsumatorëve shqiptarë, ndonëse prej kohësh, janë plotësisht në dijeni për sa më sipër.”
Këtë vit, studimi përfshin dy ekonomi të reja referuese: Kroacinë (e cila është pjesë e rajonit dhe anëtare e BE-së) dhe Ukrainën (si vend i prekur nga lufta). Të dyja vendet rezultojnë me një nivel konkurrence shumë më të mirë se vendet e rajonit (MCI).
Çiko njofton se punimi i plotë do të publikohet së shpejti.
