Profesor Italian Gjykatohet për Aksident Vdekjeprurës në Fier

Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq profesorin italian për aksidentin ku humbi jetën një 16-vjeçar

Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq profesorin italian, Michele D’Angelo, i cili u përfshi në një aksident rrugor disa muaj më parë, duke shkaktuar vdekjen e një 16-vjeçari. Nga ky aksident mbetën të plagosur edhe persona të tjerë.

Akuzat që rëndojnë mbi profesorin italian janë: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Hetimet e kryera mbi procedimin penal nr. 1207, datë 10.08.2025, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, kanë provuar se më datë 08.08.2025, rreth orës 20:00, në aksin rrugor Fier-Levan, automjeti me targa të huaja, drejtuar nga i pandehuri M.D., u përfshi në një aksident me automjetin tip “Mercedes Benz”, drejtuar nga shtetasi E.SH.

Automjeti i drejtuar nga i pandehuri M.D. është larguar nga vendi i ngjarjes, duke shmangur përgjegjësinë administrative dhe penale.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, ka humbur jetën shtetasi i mitur E.Sh. Gjithashtu, është plagosur rëndë shtetasi F.T., lehtë shtetasi i mitur K.D., si dhe drejtuesi i automjetit tip “Mercedes Benz”.

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e të pandehurit M.D. është vlerësuar si shkaku determinant i pasojave të rënda.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e saj të plotë për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit të shtetasve, duke mos respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.

Scroll to Top