Media kanadeze: Biznesmenit Hysa iu bllokua një kazino në vitin 2024
Një banor i ishullit të Montrealit, i dyshuar se qëndronte pas një kazinoje të paligjshme në Kahnawake, është shtuar në një listë të zezë të qeverisë amerikane. Ai konsiderohet pjesë e një organizate kriminale që pastronte para të kartelit të Sinaloas. Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të enjten një seri sanksionesh kundër Luftar Hysës.
Luftar Hysa, 58 vjeç, me shtetësi shqiptare, zotëron një shtëpi luksoze në Mont-Royal që nga viti 2008. Qeveria amerikane e konsideron tani Hysën dhe katër anëtarë të tjerë të familjes së tij si “një organizatë kriminale transnacionale të rëndësishme”. Grupi ka përdorur ndikimin e tij përmes investimeve ose kontrollit mbi disa biznese në Meksikë, përfshirë kazino dhe restorante, për të pastruar fitimet nga trafiku i drogës, sipas autoriteteve amerikane.
Departamenti i Thesarit beson gjithashtu se grupi vepron me miratimin e kartelit të Sinaloas, i cili mban kontrollin kriminal mbi shumicën e territorit ku zhvillon aktivitetet e tij. Karteli i Sinaloas është një nga më të fuqishmit në Meksikë. Bashkë-themeluesi i tij, Ismael Zambada García, i njohur si “El Mayo”, u arrestua në korrik të vitit 2024 në Teksas. Ai pranoi fajësinë për menaxhimin e një organizate kriminale dhe rrezikon burgim të përjetshëm.
Pasuritë e bllokuara
Dy biznese të lidhura me Luftar Hysën, të bazuara në Montreal, janë gjithashtu objekt i veprimeve të qeverisë amerikane. Të gjitha pasuritë amerikane të organizatës, të cilën autoritetet e quajnë “Grupi i Krimit të Organizuar Hysa”, janë tani të bllokuara. Qytetarëve amerikanë ose personave në territorin amerikan u ndalohet të bëjnë biznes me ta.
Autoritetet identifikuan gjithashtu 10 kazino meksikane të drejtuara nga Hysa dhe grupi i tij, të cilat dyshohet se janë përdorur prej vitesh për të lehtësuar pastrimin e parave në favor të kartelit të Sinaloas.
Kazinoja e mbyllur
Në tetor të vitit 2023, gazeta La Presse zbuloi se GRC-ja (Xhandarmëria Kanadeze) po ndiqte nga afër aktivitetet e Luftar Hysës, të cilin e dyshonte për riciklim të të ardhurave kriminale. Në mars të vitit 2024, Komisioni i Lojërave të Kahnawake urdhëroi mbylljen e kazinosë Magic Palace, e vendosur pranë rrugës 132 afër urës Mercier, për shkak të dyshimeve mbi praninë e Hysës mes aksionarëve.
Në deklarata publike, Hysa ka pohuar gjithmonë se respekton ligjet dhe se pretendimet e GRC-së, Komisionit të Lojërave të Kahnawake dhe qeverisë amerikane nuk kanë sjellë ende akuza penale.
