Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Aldo Bares për ulje dënimi
Aldo Bare, i dënuar me burgim të përjetshëm si drejtues i “bandës së Lushnjës”, ka kërkuar të përfitojë ulje dënimi në Gjykatën e Lartë, por kjo e fundit ka rrëzuar kërkesën e tij.
Megjithëse Bare vuan dënimin me burgim të përjetshëm, ai iu drejtua gjykatave për ulje të dënimit me 45 ditë, duke argumentuar sjellje të mirë në qeli. Ky kërkesë e tij nuk ishte pranuar nga gjykatat e tjera, çka e çoi të kërkonte drejtësi në Gjykatën e Lartë.
Pak ditë më parë, Aldo Bare iu drejtua sërish Gjykatës së Lartë me një padi të dytë, ku kërkon sërish ulje ditore të dënimit, duke iu referuar ligjit për të drejtat e të dënuarve si bazë ligjore.
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm për Aldo Baren, ish-kreun e “bandës së Lushnjës”, në shtator të vitit 2022. Ky vendim erdhi 10 vite pas vendimit të parë të marrë nga Gjykata e Apelit në vitin 2012. Bare kishte bërë rekurs kundër vendimit të burgimit të përjetshëm.
Gjykata e Lartë e kishte shqyrtuar më parë çështjen e Bares, por Gjykata Kushtetuese e ktheu atë për rigjykim për shkak të shkeljeve procedurale të konstatuara.
Aldo Bare u arrestua në Turqi në vitin 2006. Kërkesa për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë u pranua në fundin e vitit 2009, kur ish-kreu i bandës kriminale mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, nën masa të rrepta sigurie.
Kush është Aldo Bare?
Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, ish-special i forcave RENEA, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pas vrasjes së vëllait të tij nga banda e Artur Dajës gjatë një përleshje me armë zjarri. Pas vrasjes së Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e Aldo Bares, së cilës drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash.
Vrasjet e mëpashtme u lidhën në zinxhir, dhe Bare nuk ishte vetëm në këtë betejë. Sipas prokurorisë, ish-speciali kishte arritur të rekrutonte në bandën e tij persona si Ilir Stërgun, Afrim Hoxhën, Arben e Enver Boriçin, Enver Dondollakun – të gjithë shokë, miq e të afërm të Aldo Bares dhe vëllait të tij. Më pas, grupit iu bashkuan edhe Maksim Çela, Erion Cici, Dritan Vila, Leonard Prifti, dhe shumë të rinj të tjerë.
Me mbledhjen e këtyre “ushtarëve” rreth “kryetarit”, siç e quanin në biseda telefonike Aldo Baren, filluan ekzekutimet në qytetin e Lushnjës ndaj Artur Dajës, shokëve, miqve e familjarëve të tij. Banda rezulton të ketë në kurriz të paktën 20 vrasje, plagosje, rrëmbime dhe gjobvënie.
