Trafiku i emigrantëve, arrestohet 43-vjeçari në Shkodër
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër finalizoi operacionin policor të koduar “Borders 4”. Një 43-vjeçar u arrestua në flagrancë, pasi ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta të kalonin kufijtë në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagese prej 400-500 euro për person.
I arrestuari u kap në fshatin Vukpalaj, duke transportuar me automjet 6 emigrantë, 3 nga Siria dhe 3 nga Egjipti, të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi.
Policia bën me dije se personi i arrestuar rezulton të jetë dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Gjatë operacionit, u sekuestruan automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe celulari i të arrestuarit.
Shërbimet e Policisë Kufitare, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative për dhënien e ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve kundrejt pagese, organizuan dhe finalizuan operacionin “Borders 4”.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Ll., 43 vjeç, banues në Mamurras, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Nga hetimet rezulton se shtetasi i arrestuar ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, të cilët hynin ilegalisht në Shqipëri nga Qafa e Botës, duke i transportuar me automjet kundrejt pagese prej 400-500 euro për person, me synim kalimin e mëtejshëm drejt Malit të Zi.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
