Shkodër: Arrestohen dy autorë të plagosjes, zbardhet dinamika

Plagosja në Shkodër/ Zbardhet dinamika, vihen në pranga dy autorët

Policia ka arrestuar dy persona në Shkodër, të cilët dyshohet se janë autorët e ngjarjes së mbrëmshme ku u plagos Edison Tirana. Të arrestuarit janë dy vëllezërit Gjovalin Gjekaj dhe Pëllumb Gjekaj, banues në fshatin Pjetroshan të Malësisë së Madhe. Gjithashtu, është shpallur në kërkim edhe nipi i tyre.

Dy vëllezërit dyshohen se kanë qëlluar me armë zjarri drejt Edison Tiranës, 42 vjeç, banues në fshatin Trush. Konflikti mes tyre ka nisur në doganën e Hanit të Hotit për çështje parakalimi. Ata kanë parakaluar disa herë njëra-tjetrën dhe më pas janë ndaluar për t’u sqaruar.

Situata ka agravuar në konflikt fizik dhe më pas Gjovalin dhe Pëllumb Gjekaj kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të automjetit tip “Mercedes Benz” të Edison Tiranës. Plumbat kanë goditur gomat e makinës, duke bërë që Tirana të humbte kontrollin e automjetit dhe të përplasej me bordurën e një karburanti.

Edison Tirana ka dalë nga makina dhe është fshehur në një zonë të afërt për t’i shpëtuar plumbave. Më pas, dy vëllezërit e kanë gjetur atë dhe e kanë goditur me sende të forta.

Aktualisht, Edison Tirana është jashtë rrezikut për jetën, pasi ka marrë ndihmën e specializuar mjekësore. Të arrestuarit janë shoqëruar drejt ambienteve të komisariatit, ndërsa policia po heton më tej mbi rastin.

Scroll to Top