Kredite me probleme në minimum 18-vjeçar: Banka e Shqipërisë

Raporti i kredive me probleme ka pësuar një tjetër rënie të lehtë, duke arritur një minimum të ri në 18 vite.

Në muajin korrik, raporti i kredive me probleme shënoi një rënie të vogël, duke arritur nivelin 3.69%, krahasuar me 3.7% që ishte në qershor, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Ky tregues ka vazhduar rënien e tij me bazë vjetore; një vit më parë, niveli ishte 4.04%. Ulja e lehtë e korrikut ka çuar raportin e kredive me probleme në nivelin më të ulët të 18 viteve të fundit.

Në vlerë absolute, stoku i kredive me probleme arrin rreth 36.9 miliardë lekë. Megjithatë, kreditë e këqija në vlerë absolute janë rritur me 2.2% krahasuar me një vit më parë.

Për momentin, raporti i kredive me probleme duket se po vazhdon të ruajë tendencën rënëse, pavarësisht shqetësimeve të lidhura me rritjen e shpejtë të kreditimit në vitet e fundit. Ecuria e mirë makroekonomike dhe zgjerimi i vazhdueshëm i portofolit të kredisë po ndikojnë pozitivisht në performancën e treguesit të kredive në vonesë.

Në fund të korrikut, teprica e kredisë për ekonominë arriti në pak më shumë se 1 trilion lekë, duke u rritur me 9.5 miliardë lekë krahasuar me marsin. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë për ekonominë është në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë.

Kredia po vazhdon të rritet me ritme të ngjashme me vitin e kaluar, pavarësisht disa masave të Bankës së Shqipërisë që synonin të ngadalësonin rritjen e shpejtë të huadhënies, veçanërisht në segmentin e kredisë për shtëpi. Sektori po tregon një ecuri pozitive, si në drejtim të rritjes, ashtu edhe në performancën financiare dhe cilësinë e aseteve. As shqetësimet për zhvillimet gjeopolitike globale dhe rritja e inflacionit, për momentin, nuk po kanë efekte të rëndësishme në tregun e huadhënies.

Ndërsa normat referuese të interesit për Lekun dhe Euron kanë shënuar një rritje pas muajit mars, Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit. Ky vendim është motivuar kryesisht nga besimi se rritja e inflacionit do të jetë e kufizuar dhe e përkohshme, si dhe nga ndikimi paralel i forcimit të Lekut në kursin e këmbimit dhe politika fiskale shtrënguese me suficite të bollshme që po ndjek qeveria shqiptare.

Mosrritja e normave të interesit po ndihmon në ruajtjen e ritmeve të kreditimit të ekonomisë, si dhe në ruajtjen e tendencës rënëse të raportit të kredive me probleme. Normat më të larta të interesit do të ndikonin negativisht aftësinë paguese të detyrimeve, por edhe kërkesën për kredi të reja.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Scroll to Top