Rritja e Çmimeve të Apartamenteve në Tiranë: 20 Vjet Analizë

Keydata: Si janë rritur në 20 vite çmimet e apartamenteve për 32 zonat kadastrale

Sipas të dhënave të indeksit “Keydata”, të vëna në dispozicion për Monitor, rezulton se çmimet mesatare të shitjes të apartamenteve në 32 zona kadastrale të Tiranës, të cilat përfshijnë 11 njësi bashkiake, janë dyfishuar deri trefishuar gjatë 20 viteve të fundit.

Indeksi përfshin të dhëna për çmimet mesatare të apartamenteve ekzistuese, pra të ndërtuara 5, 10 apo 15 vite më parë, si dhe një numër të ulët apartamentesh të reja. Llogaritja e çmimeve mesatare mbulon periudhën nga janari 2005 deri në qershor 2025.

Referuar të dhënave të indeksit “Keydata” deri në qershor 2005, në njësinë bashkiake nr. 1, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve ishte 670 euro për metër katror. Në 6-mujorin e parë të 2025, në këtë njësi, çmimi mesatar ka arritur 1.522 euro për metër katror. Gjatë 20 viteve, çmimet mesatare të shitjes së apartamenteve janë rritur me 127%, ose gati 1.3 herë më shumë.

Njësia nr. 1 është e ndarë në dy zona kadastrale:

  • 1/1: Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit;
  • 1/2: Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, Lana Bregas, Linzë, Sauk.

Në njësinë bashkiake nr. 2, për 6-mujorin e parë të 2005, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve ishte 720 euro për metër katror. Në 6-mujorin e parë të 2025, sipas të dhënave të “Keydata”, çmimi mesatar ka arritur 1.988 euro për metër katror. Gjatë 20 viteve, çmimet në këtë njësi janë rritur me 176%, ose gati janë trefishuar.

Njësia nr. 2 është e ndarë në zonat kadastrale si:

  • 2/1: Piramida, ish stadiumi “Qemal Stafa”;
  • 2/2: Pazari i Ri, 9-katëshet, shkolla “Avni Rustemi”;
  • 2/3: Ministria e Jashtme, Ambulanca nr. 1, Bërryli;
  • 2/4: Shkolla e Baletit, Ambasada Amerikane;
  • 2/5: Qyteti “Studenti”, Fakulteti Ekonomik, Varrezat e Dëshmorëve, Sauk, Selitë.

Në njësinë bashkiake nr. 3, për 6-mujorin e parë të 2005, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve ishte 520 euro për metër katror. Në 6-mujorin e parë të 2025, sipas të dhënave të “Keydata”, çmimi mesatar ka arritur 1.503 euro për metër katror. Gjatë 20 viteve, çmimet në këtë njësi janë rritur me 189%, ose gati janë trefishuar.

Njësia nr. 3 është e ndarë në këto zona kadastrale:

  • 3/1: Xhamllëku, Profarma, rruga “Bardhyl”, rruga “Kongresi i Manastirit”, Bulevardi “Zhan D’Ark”;
  • 3/2: Porcelani, IK V, Kinostudio, rruga “Hoxha Tahsim”, Lana e vjetër, fshati Linzë.

Në njësinë bashkiake nr. 4, çmimi mesatar në qershor 2025 arriti 1.524 euro për metër katror, nga 576 euro për metër katror që ishin në qershor 2005. Çmimet janë shtrenjtuar 1.6 herë më shumë për 20 vite.

Njësia përfshin zona kadastrale si:

  • 4/1: Kompleksi i spitaleve, SHIK, Oxhaku, Allias i ri, fshati Tufinë;
  • 4/2: Allias, rruga “Njazi Meka”, Bregu i Lumit, Alliasi i Ri, rruga “Myslym Keta”, “5 Maji”.

Si kanë ndryshuar çmimet në zonat e ish Bllokut, komunës së Parisit dhe Liqenit artificial

Në njësinë bashkiake nr. 5, që përfshin disa zona pranë qendrës, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve deri në 6-mujorin e parë 2005 ishte 742 euro për metër katror. Në 2025, për këtë njësi, çmimi ka arritur 2.153 euro për metër katror. Çmimet janë trefishuar për periudhën 2005 deri në qershor 2025.

Njësia nr. 5 përfshin zonat kadastrale si:

  • 5/1: Ish–Blloku, Libri Universitar, Vodafone;
  • 5/2: Stadiumi “Selman Stermasi”, Shushica, Liqeni Artificial;
  • 5/3: Kopshti Botanik, rruga “Komuna e Parisit”, Liqeni artificial;
  • 5/4: Hotel “Diplomat”, blloku “Vasil Shanto”, Selitë e Vogël.

Për zonën e ish Bllokut, indeksi llogarit çmime më vete, ku çmimi mesatar në 2025 ka arritur 2.660 euro për metër katror. Krahasuar me 2005, çmimet janë gati 3.4 herë më të larta.

Si kanë ndryshuar çmimet në njësitë e tjera bashkiake

Për njësitë bashkiake nr. 6, që përfshin zonat si shkolla teknologjike, Kombinati dhe Sharrë, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve deri në qershor 2025 arriti 1.419 euro për metër katror. Njësia nr. 7, që përfshin zona rreth ish Ekspozitës, Unaza e Re, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, NSHRAK, çmimi mesatar ka arritur 1.850 euro për metër katror. Edhe në këto njësi, çmimet gjatë 20 viteve janë trefishuar.

Deri në qershor 2025, në njësinë bashkiake nr. 8, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve arriti 1.915 euro për metër katror. Krahasuar me 6-mujorin e parë të 2005, çmimet janë 1.5 herë më të larta.

Për njësinë nr. 9, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve arriti 1.915 euro për metër katror. Krahasuar me 6-mujorin e parë 2005, çmimet janë 1.5 herë më të larta. Sipas të dhënave të tjera për njësinë nr. 9, çmimi mesatar i shitjes në 2025 arriti 1.825 euro për metër katror, gati 1.6 herë më të shtrenjta sesa në 2005.

Këto njësi bashkiake përfshijnë zona si: pranë tregut të Medresesë, gjimnazit Partizani, Selvisë, Bulevardi Zogu I etj.

Për njësinë nr. 10, që përfshin zona kadastrale si:

  • 10/1: PTT, Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve;
  • 10/2: Rruga “Myslym Shyri”, Drejtoria e Policisë, Kisha katolike;
  • 10/3: Blloku i Ambasadave, Prokuroria, Rruga e Durrësit;

çmimet e shitjes arritën në qershor 2025 në 2.316 euro. Krahasuar me 20 vite më parë, çmimet në këtë njësi janë shtrenjtuar me 177%, gati 3-fish më shumë.

Në njësinë nr. 11, që përfshin disa zona si Don Bosku, Zogu i Zi etj., deri në qershor 2025, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve ka arritur 1.572 euro për metër katror. Krahasuar me 2005, edhe për këtë njësi çmimet janë trefishuar.

Scroll to Top