Berisha sot në SPAK, pasi nuk iu përgjigj thirrjes për “21 Janarin”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pritet të paraqitet ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim Paraqitjeje” të vendosur ndaj tij. Ky veprim vjen vetëm pak ditë pasi Berisha refuzoi të paraqitej para prokurorëve të posaçëm në lidhje me dosjen e “21 Janarit”.
Berisha deklaroi se nuk kishte marrë njoftim për thirrjen, por SPAK e kundërshtoi duke pohuar se fletëthirrjet ishin dorëzuar në banesën e tij, në Kuvend dhe në selinë e PD, por nuk ishin pranuar për t’u tërhequr.
Kujtojmë se, në lidhje me dosjen “Partizani”, Berisha është marrë i pandehur së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, si dhe tre persona të tjerë. Kreu i PD do të përballet me akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, të cilat përfitonin edhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar në mënyrë të parregullt të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
