Banorët e Kalivaçit në protestë, bllokojnë aksin Qukës–Qafë Plloçë
Një protestë e zhvilluar nga banorët pranë fshatit Kalivaç ka shkaktuar bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë për rreth 10 minuta. Kjo situatë ka sjellë pasoja në trafik, duke krijuar vonesa të konsiderueshme në të dyja drejtimet dhe duke penguar lëvizjen e dhjetëra automjeteve.
Gjatë protestës janë regjistruar edhe përplasje verbale dhe tensione mes banorëve dhe disa drejtuesve të automjeteve të cilët mbetën të bllokuar në trafik.
Arsyet kryesore të protestës lidhen me kundërshtimin e banorëve ndaj mbylljes së rrugës ekzistuese që lidh tre fshatra me segmentin e ri Qukës–Qafë Plloçë. Sipas banorëve, ky itinerar është jetik pasi ofron akses jo vetëm drejt rrugës kryesore, por edhe drejt tokave të tyre bujqësore.
Nga ana tjetër, inxhinierët përgjegjës për projektin argumentojnë se dalja nga kjo rrugë në aksin e ri paraqet rrezik aksidentesh dhe nuk i plotëson standardet e kërkuara të sigurisë rrugore.
Protestuesit kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime të tjera nëse nuk arrihet një zgjidhje që garanton lëvizjen e tyre të përditshme.
