Gjykata e Posaçme filloi gjykimin për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj
Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të hënën më 17 nëntor, nisi gjykimi penal në ngarkim të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” lidhur me privatizimin e një parcele toke me çmimet e vitit 1994, duke injoruar një vendim gjykate të formës së prerë.
Gjykimi për Ahmetajn po zhvillohet me procedurën e zakonshme. Në fillim të seancës, gjyqtarja Irena Gjoka konstatoi mungesën e të pandehurit. Sipas informacioneve të gjykatës, Ahmetaj ndodhet në Zvicër, shtet drejt të cilit autoritetet shqiptare kanë dërguar një letër-porosi për ekstradimin e tij.
Prokurori Elvin Gokaj lexoi kërkesën për gjykimin. Çështja penale lidhet me një parcelë toke me sipërfaqe 6370 metra katrorë, në pronësi të familjes Myderizi, në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Sipas SPAK, parcela u privatizua duke përdorur çmimet e vitit 1994, në kundërshtim me një vendim gjykate të formës së prerë.
“Thelbi i hetimit lidhet me një urdhër të kundërligjshëm të nënshkruar nga i pandehuri, me të cilin ka konsumuar veprën penale”, theksoi Gokaj. Ai kërkoi që në seancën e ardhshme të thirren disa dëshmitarë.
Ahmetaj, i cili po gjykohet pa masë sigurie për këtë çështje, është në arrati edhe për akuza korrupsioni lidhur me biznesmenët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Përfaqësuesi ligjor i Ahmetajt, avokati Henrik Ligori, kërkoi sqarime nga SPAK lidhur me një procedim të ndarë nga ky gjykim. Ai u shpreh se nuk është e qartë nëse do të sillen akte të reja në këtë gjykim.
Prokurori Gokaj shpjegoi se gjatë hetimit është rënë në dijeni të transferimit të një shume të konsiderueshme drejt një vendi të Bashkimit Europian, por deri tani nuk ka të dhëna që përfshijnë Ahmetajn në këtë transaksion. Ai shtoi se aktet e mbërritura nga autoritetet austriake për këtë çështje janë duke u përkthyer.
Avokati Ligori konstatoi se kishin kërkuar bashkimin e çështjeve për qartësi. Ai rikujtoi se prokurori kishte bashkuar hetimet dhe më pas i kishte ndarë bazuar në sugjerimin e një oficeri të policisë gjyqësore. Ligori kërkoi që parashtrimet t’i paraqesë në seancën e radhës.
Gjyqtarja Gjoka vendosi shtyrjen e seancës për datën 2 dhjetor, në orën 14:00, për t’i dhënë kohë mbrojtjes për parashtrime dhe prokurorisë për përkthimin e akteve nga Austria.
Ahmetaj ka pasur një karrierë të gjatë në Partinë Socialiste dhe ka shërbyer si ministër i Ekonomisë, Financave, Rindërtimit, si dhe zv/kryeministër në qeverinë e Edi Ramës. Emri i tij u përfshi në hetimet për kontratat qindra-milionëshe për inceneratorët, një hetim që ka sjellë pasoja juridike për zyrtarë të lartë, një ish-ministër dhe një ish-deputet.
SPAK kërkoi arrestimin e tij dhe Kuvendi miratoi kërkesën më 14 korrik 2022, por Ahmetaj i shmangu përballjes me drejtësinë dhe ndodhet jashtë Shqipërisë. Një kontratë lobimi prej 150 mijë dollarësh, e nënshkruar nga Ahmetaj, zbuloi se ish-zv/kryeministri banon aktualisht në Lugano të Zvicrës.