Dron rus godet anije turke me gaz, rritet shqetësimi në NATO

VIDEO/ Droni rus godet anijen turke që transportonte gaz, Ankaraja akuzon Moskën

Anija me flamur turk ORINDA është goditur nga një dron rus gjatë shkarkimit të ngarkesës në portin Izmail të Ukrainës, pranë kufirit me Rumaninë. Tankeri, i cili transportonte 4.000 tonë gaz të lëngshëm nafte (LPG), u sulmua gjatë operacionit të shkarkimit.

Ekuipazhi turk u evakuua menjëherë dhe pa lëndime. Zjarri i madh që shpërtheu në anije ngjalli frikë nga një shpërthim i mundshëm, duke çuar në masa të jashtëzakonshme sigurie.

Autoritetet rumune evakuuan plotësisht fshatin Plauru, i cili ndodhet përballë Izmailit, në anën tjetër të Danubit. Kryetari i komunës Ceatalchioi, Tudor Cernega, deklaroi: “Kontrolluam çdo shtëpi, zhvendosëm njerëzit dhe kafshët, mbyllëm qarkullimin. Distanca është shumë e vogël dhe rreziku i shpërthimit është i lartë. Po ndjekim situatën çdo minutë.”

Mediat turke dhe ukrainase konfirmojnë se sulmi u krye nga një dron rus. Ngjarja po ndiqet me vëmendje të madhe nga Ankaraja dhe Bukureshti, duke qenë se të dyja vendet janë anëtare të NATO-s.

Kjo është hera e parë që një anije me flamur të një vendi anëtar të Aleancës goditet drejtpërdrejt në këtë zonë që nga fillimi i luftës, duke rritur ndjeshëm shqetësimin për një përshkallëzim të mëtejshëm.

Scroll to Top