Kanada shmang zgjedhjet, buxheti miratohet nga qeveria Carney

Kanadaja shmang zgjedhjet, kryeministri Carney mbetet në detyrë pasi buxheti miratohet me diferencë të ngushtë.

Qeveria e kryeministrit kanadez Mark Carney i shpëtoi një votëbesimi të hënën, duke miratuar me një diferencë të ngushtë buxhetin e propozuar për ringjalljen e ekonomisë kanadeze, përballë kërcënimit të tarifave nga Shtetet e Bashkuara.

Mbështetja e disa deputetëve të opozitës, të cilët kërkonin të parandalonin zgjedhjet e parakohshme, bëri të mundur miratimin e buxhetit dhe mbajtjen e Carney-t në pushtet. Shumica e deputetëve të zgjedhur e mbështetën planin buxhetor të propozuar nga qeveria, falë mbështetjes së udhëheqëses së Partisë së Gjelbër dhe mungesës së disa anëtarëve të partive të tjera të opozitës në votim.

Votimi përfundoi me 170 vota pro dhe 168 kundër. Ky rezultat i lejon qeverisë të vazhdojë me një buxhet që premton dhjetëra miliarda dollarë shtesë për shpenzime në infrastrukturë, mbrojtje dhe strehim, ndërkohë që parashikon edhe tkurrjen e sektorit publik.

Në zgjedhjet e prillit, Partia Liberale e Carney-t nuk arriti të fitonte shumicën e 343 vendeve në Dhomën e Komunave, çka nënkupton se qeveria ka nevojë për mbështetjen e disa ligjvënësve të opozitës për miratimin e legjislacionit.

Disa votime, përfshirë atë për buxhetin, konsiderohen vota besimi. Nëse këto dështojnë, zakonisht çojnë në dorëheqjen e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Deri të hënën, qeveria ishte ende në kërkim të dy votave nga opozita.

Mark Carney arriti të fitonte mbështetjen e deputetes së vetme të Partisë së Gjelbër në Parlament, Elizabeth May, e cila ka drejtuar partinë për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit. May u shpreh para gazetarëve se vendosi të mbështeste buxhetin pasi Carney i premtoi angazhimin e tij ndaj objektivave të Marrëveshjes së Parisit për emetimet e karbonit.

Ajo deklaroi: “Do të votoj ‘po’ – për vendin, për planetin dhe për shpresën time për të ardhmen.”

Buxheti i Carney parashikon një shtesë prej 167.3 miliardë dollarësh në deficitin e përgjithshëm gjatë pesë viteve, e nxitur nga shpenzimet e mëdha në projekte kapitale, por edhe nga një perspektivë më e ulët për të ardhurat nga taksat. Kjo situatë vjen si pasojë e një uljeje të mëparshme të taksës mbi të ardhurat dhe një rritjeje më të ngadaltë ekonomike, ndërkohë që ekonomia kanadeze, e orientuar drejt eksportit, përballet me tarifa nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Scroll to Top