Këshilli i Sigurimit i OKB miratoi planin e Trump për Gazën, Hamasi kundërshton: Nuk respekton kërkesat dhe të drejtat e palestinezëve
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë të propozuar nga SHBA, e cila mbështet planin e paqes të Donald Trump për Gazën dhe autorizon një forcë të huaj stabilizuese për enklavën palestineze, me detyrë edhe çarmatosjen e Hamasit.
Teksti i rezolutës, i cili u modifikua disa herë gjatë negociatave të ndjeshme midis vendeve anëtare, mori 13 vota pro, ndërsa Rusia dhe Kina abstenuan.
Rezoluta e rishikuar gjithashtu miraton krijimin e një Bordi Paqeje, një organ “qeverisës tranzitor” për Gazën deri më 31 dhjetor 2027. Ky bord do të drejtohet nga Trump, duke pritur reformën e Autoritetit Palestinez. Vlen të theksohet se shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit mund të marrin pjesë në këtë bord.
Ndryshe nga versionet paraprake, rezoluta thekson se pas reformës së Autoritetit Palestinez dhe përparimit në rindërtimin e Gazës, “mund të krijohen kushte për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe sovranitetit palestinez”.
Hamasi ka kundërshtuar rezolutën e miratuar në OKB për Gazën, duke deklaruar se ajo nuk respekton “kërkesat dhe të drejtat” e palestinezëve.
Në një deklaratë, grupi militant islamik tha: “Kjo rezolutë nuk plotëson nivelin e kërkesave dhe të drejtave politike dhe humanitare të popullit tonë palestinez”.
