Moti i keq Shkodër: Përmbytje, rrëshqitje dherash e zjarr

Moti i keq në veri ka sjellë rrëshqitje dherash dhe përmbytje, ndërsa një rrufe ka shkaktuar zjarr në një banesë.

Rrëshqitjet e dheut dhe vërshimet e ujërave, si pasojë e motit të keq, kanë bllokuar disa zona malore në Dukagjin, duke lënë përkohësisht të izoluar banorët. Situata paraqitet më problematike në aksin Theth–Ndërlysa dhe në segmentin Ndërlysa–Breg Lumi. disa fshatra kanë mbetur të shkëputur, pasi rrugët janë bërë të pakalueshme.

Autoritetet vendore njoftojnë se po pritet ndërhyrja e mjeteve të bashkisë Shkodër dhe ekipeve të Emergjencave Civile. Këtyre do t’u bashkohen edhe Forcat e Ushtrisë, me qëllim zhbllokimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit normal për banorët e zonës.

Ndërkohë, rruga kryesore Shkodër–Theth raportohet të jetë e kalueshme dhe pa probleme, ashtu si edhe akset nacionale dhe rrugët kryesore në gjithë qarkun Shkodër.

Përveç izolimit të fshatrave, një tjetër shqetësim mbetet mungesa e energjisë elektrike në shumë zona të bashkisë Vau Dejës dhe në disa fshatra të tjerë malorë, ku moti i keq ka shkaktuar defekte në rrjet.

Situata e rënduar nga kushtet atmosferike shoqërohet edhe me një incident të rëndë gjatë natës në fshatin Preknicaj të Shkrelit, në Malësinë e Madhe. Një banesë dykatëshe u përfshi nga flakët rreth orës 02:00. Banesa e shtetasit Zef Preknicaj është djegur plotësisht, pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit mendohet të ketë qenë një rrufe, e shkaktuar nga aktiviteti i shtuar elektrik në atmosferë gjatë 24 orëve të fundit.

Scroll to Top