Dëshmitë në Hagë: Roli i Thaçit në UÇK dhe Uashingtoni

Dëshmitë në Hagë: A e njohën amerikanët Thaçin si lider të UÇK-së?

Edhe gjenerali Wesley Clark, edhe diplomatët James Rubin dhe Christopher Hill kanë minimizuar rolin e Hashim Thaçit, duke e përshkruar atë si “oficer ndërlidhjeje”, duke thënë se “nuk ka luftuar në mal” dhe se “nuk e dinë nëse është themelues i UÇK-së”.

Gjenerali amerikan Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, ishte dëshmitari i fundit pro Hashim Thaçit para Gjykatës së Hagës. Në përpjekje për ta mbrojtur atë në proces, Clark reduktoi ndjeshëm rolin e tij si udhëheqës i UÇK-së. Të njëjtën gjë kishin bërë më parë edhe James Rubin, ish-numri dy i Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, si dhe Christopher Hill, diplomat aktiv në Ballkan gjatë kohës së konferencës së Rambujesë.

Në dëshminë e gjeneralit Clark, ish-drejtuesi politik i UÇK-së u përshkrua si një udhëheqës i pafuqishëm, të cilit nuk i bindej një ushtri pa strukturë të përcaktuar. Clark u angazhua aq shumë në reduktimin e rolit të Thaçit sa pohoi se ai nuk ishte në gjendje t’i tregonte NATO-s pozicionet e ushtrisë serbe në Kosovë. Ai rrëfeu për një takim në zyrën e tij në Bruksel, ku Thaçi nuk ofroi të dhëna nga komandantët lokalë mbi vendndodhjen e trupave të Millosheviçit që mund të bombardoheshin.

“Nuk besoj që Thaçi ishte udhëheqës ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” tha ai, duke vënë në dyshim gjatë dëshmisë edhe faktin nëse ai ka luftuar ose jo. “Më kujtohet që e kam parë Thaçin, sepse ishte zëdhënës. Ishte i pastër, i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjerët. Nuk dukej se kishte qenë në mal duke luftuar për një-dy vjet rresht. Ishte e qartë se nuk ishte përgjegjës aty, nuk komandonte aty.”

Kur u pyet nga prokurori se si e kishte kuptuar rolin e Hashim Thaçit në atë kohë, gjenerali në pension u përgjigj: “Si një lloj oficeri ndërlidhjeje”.

Kjo taktikë reduktuese e dëshmitarëve pro ish-presidentit të Kosovës ishte një sjellje e paracaktuar e avokatëve mbrojtës të Thaçit, për t’iu kundërvënë një akuze të rëndë. Akuza nuk i fajëson ish-komandantët për krime konkrete, por për shkak se si udhëheqës të UÇK-së kanë frymëzuar ose nuk kanë dashur të ndalojnë mbi 100 episode kriminale kundër qytetarëve serbë apo shqiptarë që bashkëpunuan me okupatorin. Kjo taktikë e ka detyruar edhe vetë Thaçin të minimizonte rolin e tij dhe të drejtorisë politike në udhëheqjen e luftës, duke i transferuar ato tek drejtuesit lokalë të veprimeve ushtarake.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe James Rubin, ish-zv.sekretar amerikan i Shtetit dhe njeri i besuar i Madeleine Albright, kur dëshmoi para gjykatës në mes të shtatorit. I pyetur nga avokatët dhe prokurori, Rubin përshkroi një lider më shumë figurant, një lloj “ministri i jashtëm”, i cili nuk i urdhëronte komandantët, por vetëm përcillte tek ndërkombëtarët versionin e tyre. Rubin theksoi se Thaçi nuk kishte autoritet dhe as fuqi për të ndikuar, se nuk i urdhëronte ata, se e gjithë organizata nuk kishte një strukturë vertikale, madje se edhe vetë Hashimi kishte frikë nga elementët më ekstremistë të saj.

Më të forta kanë qenë qëndrimet e Christopher Hill, ish-drejtuesi i Hollbrooke, diplomati më me përvojë që mori pjesë në bisedimet e Rambujesë dhe që mbylli karrierën e tij si ambasador i SHBA-së në Beograd. Ai u paraqit para një jave para Gjykatës së Hagës, ku vuri në dyshim faktin se Thaçi ishte themelues i UÇK-së. Kjo gjë e surprizoi edhe vetë gjykatësin Christoph Barthe, i cili e pyeti diplomatit në pension: “Si ishte e mundur atëherë që Thaçi mori një rol kaq të madh në Rambuje dhe më pas në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës?”

Hill u përgjigj: “Përshtypja ime është që ai ishte një bashkëbisedues i besueshëm, por nuk ishte vendimmarrës. Kjo përshtypje bënte kuptim kur ai na tha se nuk mund të pajtohej lidhur me atë që ishte bërë në Rambuje, dhe si shembull na tha se nëse pajtohej pa u konsultuar, kur të kthehej do ta vrisnin. Një vendimmarrës nuk e bën një koment të kësaj natyre. Unë e kam kuptuar se ai ishte i besuar për të mbledhur informacione. Atij i besohej të parashtronte argumentet e UÇK-së, por nuk ishte i besuar në vendimmarrje, nuk i ishte lënë në dorë vendimmarrja.”

Christopher Hill, i pyetur nga avokati i Thaçit lidhur me takimin me Slobodan Millosheviçin, pranoi se diktatori serb i kishte thënë se Thaçi “ishte person që torturon dhe vret njerëz”. Megjithatë, ai këmbënguli se nuk kishte asgjë që sugjeronte se Thaçi ishte përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut, duke qëndruar bindjes se drejtuesi politik i UÇK-së “nuk ishte aq i fuqishëm sa mund të shikohej nga jashtë”.

Pra, nëse analizohen të gjitha dëshmitë para gjykatës të diplomatëve dhe ushtarakëve më të rëndësishëm amerikanë që janë marrë me Kosovën në kapërcyell të dy shekujve, del se historia nuk ka qenë e njëjtë me atë që u është treguar shqiptarëve në vitet e fundit.

Scroll to Top