Reforma Zgjedhore: Mosbesim mes PS e PD

Reforma Zgjedhore, Palët Nisin Punën me Mosbesim

Mazhoranca dhe opozita kanë nisur bashkërisht punën për një reformë të re zgjedhore, por me qëndrime të ndara përsa i përket pritshmërive nga funksionimi i komisionit të posaçëm dypalësh.

Socialistët në pushtet kërkojnë që procesi të fillojë me çështje teknike për të cilat ka konsensus dhe të ketë si udhërrëfyes rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ndërsa, opozita ka paralajmëruar se çdo reformë do të ishte e pavlefshme nëse mungon vullneti politik për zbatimin e ligjit.

Mbledhja u hap nga bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri, i cili propozoi që puna të niste nga problemet që nuk kanë ngarkesë politike, siç është ligji për financimin e partive. “Të bëjmë një reformë reale, konsensuale, të plotë siç kemi bërë në vitin 2020, 2012 e të tjerë,” tha Gjiknuri, duke renditur si prioritete depolitizimin e administratës zgjedhore dhe barazinë në fushatë. Sipas Gjiknurit, përfshirja e ekspertëve të ODIHR-it do të shërbente për të çliruar palët nga ngarkesa politike. “Nuk është një proces që secili të vijë me listën e dëshirave të tij, por të ketë një standard dhe shtrat të propozimeve që vijnë nga ekspertët e organizatave,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, solli në vëmendje precedentin e vitit 2020, duke akuzuar socialistët për “prerje në besë” përmes ndryshimit të njëanshëm të sistemit zgjedhor. “E gjitha u përmbys me një ndryshim të njëanshëm… që sot është i imponuar dhunshëm dhe është një nga faktorët kryesorë që dëmtojnë pluralizmin politik në parlament,” tha Bylykbashi. Për demokratët, problemi nuk qëndron te nenet e ligjit, por te zbatueshmëria e tyre. “Ne mund të shtojmë nene pafund, por për sa kohë del kryeministri dhe thotë nuk e zbatoj, ligji është kinezëri, çdo reformë zgjedhore nuk ka efekt,” theksoi Bylykbashi, duke kërkuar një qasje gjithëpërfshirëse për trajtimin e problematikave.

Komisioni u ngrit pas negociatave PS-PD, duke përfshirë edhe partitë e vogla me më shumë se dy deputetë. Megjithatë, Agron Shehaj, drejtues i partisë opozitare ‘Mundësia’, refuzoi pjesëmarrjen, duke akuzuar dy partitë e mëdha për pakte politike në dëm të partive të reja.

Punimet e komisionit nisin në një klimë të tensionuar, vetëm disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku PS siguroi një mandat të katërt me 83 mandate. Opozita dhe raporti përfundimtar i ODIHR evidentuan probleme serioze në këtë proces, përfshirë përdorimin e burimeve shtetërore, presionin mbi administratën dhe përfshirjen e elementëve kriminalë në blerjen e votave.

Scroll to Top