Julien Moinil, Prokurori Belg i Hetuar për Kërcënim nga Shqiptarët, Mori në Pyetje Lulzim Bashën
Julien Moinil, kryeprokurori i Brukselit, i cili u vu në qendër të vëmendjes këtë të martë pas zbulimit të një komploti për vrasjen e tij dhe arrestimit të tetë personave, ka qenë të paktën dy herë në Shqipëri.
Fillimisht, ai ishte pjesë e një delegacioni të prokurorisë belge. Hija e dytë dhe më e famshmja e vizitave të tij ishte ajo e 10 shkurtit 2022, kur për dy orë mori në pyetje Lulzim Bashën, në atë kohë kryetar i Partisë Demokratike.
Shkak për ardhjen e tij në Shqipëri ishin hetimet për çështjen e 3.4 milionë eurove të gjetura në makinat “Toyota Yaris” të nisura nga Belgjika. Basha u pyet se nga e mori dijeninë që foli për këtë çështje në parlament, duke akuzuar Taulant Ballën, dy ditë përpara se paratë të mbërrinin në portin e Durrësit.
Julien Moinil ishte mjaft i vendosur për zbardhjen e çështjes, sa këmbënguli se nëse Basha nuk pranonte të jepte shpjegime, do të kërkonte shoqërimin e tij me forcë, duke e akuzuar për pengim të zbardhjes së së vërtetës. Në atë kohë, Moinil mbërriti me gjashtë hetues të tjerë. Që në atë kohë ranë në sy masat e shtuara të sigurisë ndaj tij.
Që në moshë të re, ai ka shkëlqyer në ngjitjen e tij në shkallët e karrierës. Që në moshën 23-vjeçare iu bashkua zyrës së prokurorit publik të Brukselit si magjistrat i të rinjve, përpara se t’i bashkohej zyrës së prokurorit publik të Monsit, ku kryesisht merrej me rastet e krimit të organizuar. Shpejt, magjistrati do të ngjitet në prokurorinë federale, ku iu besuan çështje të rëndësishme.
