Afera e Ballukut, Komisionerja e BE-së: Zbulimi i rastit është një hap përpara
Komisionerja për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, është shprehur lidhur me rastin e Belinda Ballukut, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë.
Ajo theksoi se nuk është e lumtur kur dëgjon për raste të tilla në vendet kandidate ose anëtare të BE-së. Megjithatë, Kos shtoi se e rëndësishmja është që institucionet anti-korrupsion po punojnë.
“Për mua ky është një hap përpara sepse këto raste janë zbuluar. Nuk jam e lumtur të dëgjoj për këto raste. E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën, por kjo tregon se institucionet anti-korrupsion po punojnë. Siç e kam thënë më parë, ne gjithashtu kemi raste korrupsioni brenda BE. Ato ndodhin kudo. E rëndësishme është të kemi institucione dhe vendet kandidate i kanë institucionet për t’i luftuar këto raste. Më pas do të jetë sistemi gjyqësor ose gjykata që do të zbulojnë nëse ligji është shkelur apo jo,” tha Kos.