Rama mbron Ballukun dhe relativizon kostot e korrupsionit
Kryeministri u tha deputetëve të opozitës: “Po bëni prokurorinë popullore…”. Deputetët e opozitës kishin nisur seancën plenare të së mërkurës duke kërkuar llogari për faktin se Balluku, zëvendëskryeministrja, vijonte të mbante detyrën pavarësisht se ishte marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për shkelje të barazisë në tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë.
Rama e kishte pritur fillimisht me heshtje marrjen e saj si të pandehur disa javë më parë, dhe më pas u shfaq sikur asgjë nuk kishte ndodhur.
Balluku akuzohet se ka kontrolluar çdo fazë të projektit rreth 190 milionë euro dhe ka paracaktuar fituesin, duke shkelur kështu kriteret standarde të tenderit për tunelin e Llogarasë, një nga projektet më të shtrenjta të infrastrukturës në pesë vitet e fundit.
Opozita akuzoi se anulimi dhe më pas rihapja e tenderit me urdhër të Ballukut i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë të paktën 50 milionë euro. Ata gjithashtu sulmuan qeverinë, duke theksuar se paratë e alokuara për aferat korruptive të inceneratorëve dhe tunelit të Llogarasë mund të ishin përdorur për rritjen e pensioneve.
Megjithatë, Rama i cilësoi shifrat e opozitës si gënjeshtra “me dhjetëra herë mbi realitetin”.
“Dëgjova këtu se në Shqipëri paska një taksë korrupsioni dhe se me 450 milionë euro të inceneratorëve mund të bëhej rritje agresive pensionesh. Ky 450 mln euro është thjesht aritmetika e atij që mua më mungon shumë, por që e kujtoj përmes jush: 7×7 baraz 42. Jo 450, por as 45 nuk figuron askund në asnjë fashikull të një çështjeje të hetuar prej shumë vitesh,” tha ai.
Ai shtoi: “Për sa i përket tunelit të Llogarasë, ai 50 milionë euro është si 450 milionë euro i inceneratorit,” duke iu referuar aferës ku është përfshirë Balluku.
Afera e inceneratorëve, për të cilën janë dënuar deri më tani një ish-ministër, një deputet dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë, u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë dhjetëra milionë euro. Inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, të cilët nuk janë funksionalë, kanë kushtuar rreth 58 milionë euro, ndërsa projekti për inceneratorin e Tiranës ka kushtuar më shumë se 100 milionë euro deri në vitin 2023, pavarësisht se punët mbetën përgjysmë dhe inceneratori nuk u ndërtua kurrë.
Kryeministri po ashtu relativizoi abuzimet e qeverisë së tij me fondet e programit të Bashkimit Europian në mbështetje të fermerëve. Ky program është pezulluar dhe është nën hetim pas konstatimit të keqpërdorimeve me shpërndarjen e parave të taksapaguesve europianë. Rama pretendoi se abuzime me këto fonde kishte në të gjitha vendet europiane.
“OLAF, që bën hetime për llogari të KE, për vitin 2019 dhe 2023 nuk ka gjetur shkelje të së njëjtës natyrë si në Shqipëri, vetëm në këto vende: Luksemburg, Qipro, Holandë,” tha ai.