Trump: Irani kërkon të arrijë një marrëveshje me SHBA-në
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të martën se kërkon një marrëveshje me Iranin dhe beson se edhe Teherani e dëshiron këtë. Deklarata u bë gjatë një bisede me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, i cili u shpreh se do të përpiqet të ndihmojë Teheranin dhe Uashingtonin të arrijnë një marrëveshje.
“Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje. Mendoj se ata e duan shumë një marrëveshje. Jam plotësisht i hapur për këtë, po flasim me ta dhe po fillojmë një proces”, tha Trump.
Ai shtoi, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me princin e fuqishëm të kurorës së Arabisë Saudite, se “Do të ishte një gjë e mirë të kishim një marrëveshje me Iranin”. Princi saudit premtoi rritjen e investimeve të Riadit në Shtetet e Bashkuara në 1 trilion dollarë.
Uashingtoni u angazhua në bisedime me Teheranin mbi programin e tij bërthamor të kontestuar në fillim të këtij viti, duke vendosur një ultimatum 60-ditor.
