Buxheti, Topalli kundërpërgjigjet ironikisht ndaj Shalsit: Ata që janë në gjendje të dehur, mos i lini të flasin në foltore
Diskutimet në Kuvend për projekt-buxhetin e vitit 2026 vijojnë.
Deputeti i PS, Eduard Shalsi, iu drejtua deputetes së PD, Jozefina Topalli, duke i kërkuar që të mos ekzagjerojë me ndarjet veri-jug, pasi kjo nuk do të ketë asnjë dobi. Ai i kujtoi asaj veprimet e qeverisë gjatë periudhës kur ajo drejtonte Kuvendin.
“E mbaj mend fort mirë kur zonja në fjalë drejtonte Kuvendin, sesi silleshin ministrat dhe drejtorët e institucioneve në Komisione, si të fortë. Kur ka qenë hera e fundit që ke qenë në Shkodër? Mos i fryni kësaj historisë së ndarjes veri-jug, sepse as u ka shërbyer dhe as do t’u shërbejë, sepse shqiptarët janë të zgjuar. Na dëgjojnë çfarë themi dhe shohin se çfarë bëjmë. Për deputetët që kanë qenë këtu, dinë të bëjnë dallimin midis asaj që bënit ju në kohën tuaj dhe asaj që bëjmë tani. Buzëqeshja ju ndihmon të menaxhoni mungesën e argumenteve edhe me lezet… bëni mirë që nuk e merrni seriozisht,” tha Shalsi.
Topalli iu përgjigj Shalsit me ironi:
“Deputetin që sapo foli e njoh prej vitesh dhe e kujtoj vetëm për një fjali… ‘të paktën të vjedhim e lezet’. Në atë kohë nuk ia kam marrë për të madhe se kam thënë që nuk paska as eksperiencë politike. Paskam gabuar, ai nuk ka as inteligjencën minimale. Dhe një sugjerim, e mira është që ata që janë në gjendje të dehur, mos i lini të shkojnë te ajo foltorja aty.”
