“`html
Moti i keq sjell përmbytje në banesa dhe shkolla, disa familje të evakuuara
Strukturat e Mbrojtjes Civile, njësitë vendore dhe Forcat e Armatosura kanë punuar pa ndërprerje gjatë 24 orëve të fundit për të menaxhuar prurjet e larta të shkaktuara nga reshjet e shiut, pastrimin e akseve rrugore, mbrojtjen e banesave dhe evakuimin e qytetarëve në zonat e rrezikuara.
Ministria e Mbrojtjes ka raportuar situatën e përditësuar në të gjitha qarqet, duke theksuar qytetet dhe zonat më problematike.
Qarku Durrës
- Në Sukth po vijon pastrimi i kanaleve të ujërave me dy eskavatorë.
- Në Ishëm po punohet për hapjen e rrugës së bllokuar nga rrëshqitjet.
- Në Bubq, Mazhë dhe Mallkuç po punohet për normalizimin e zonave të përmbytura dhe asistimin e banorëve.
- Në Thumanë ekipet po pastrojnë kanalet kryesore dhe po përforcojnë argjinaturat.
Qarku Lezhë
- Në Shënkoll po punohet intensivisht për mbylljen e çarjes së argjinaturës së Vainit, ku Forcat e Armatosura kanë dislokuar mjete të rënda dhe varka për parandalimin e përmbytjeve të fushës së Bregut të Matës.
- Në Shëngjin është punuar për largimin e ujit nga oborret e shtëpive, pallateve dhe hoteleve me 10 forca të FA, 3 automjete, 3 pompa si dhe 11 forca bashkiake.
- Ndërsa në Kurbin dhe Mirditë po punohet për pastrimin e rrugëve dhe riparimin e urave.
- Ekipet e emergjencave ndodhen në terren në ndihmë të banorëve, shtëpitë e të cilëve rrezikohen nga rrëshqitjet.
Qarku Kukës
- Subjektet kontraktore po pastrojnë gurët dhe inertet në rrugët nacionale për të mbajtur akset të kalueshme.
- Në Ujmisht dhe Zapod po punohet për hapjen e rrugëve të bllokuara nga rrëshqitjet.
- Në Has po vlerësohen dëmet në një urë të dëmtuar.
Qarku Shkodër
- Në Shalë është hapur segmenti Theth–Ndërlysaj.
- Në pjesën Ndërlysaj–Breg-Lumi ekipet vijojnë punën për zhbllokimin e rrugës së mbuluar nga rrëshqitjet.
Qarku Gjirokastër
- Në Libohovë po punohet për zhbllokimin e aksit Suhë–Poliçan pas shembjes së rrugës.
- Në Dropull ekipet po punojnë për menaxhimin e ujërave dhe rikthimin e energjisë.
- Në Memaliaj po ndërhyhet në aksin Allkomemaj–Tepelenë për riparimin e trupit të rrugës.
- Prania e ujit në disa akse të Gjirokastrës po monitorohet nga strukturat vendore.
Qarku Vlorë
- Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore po punojnë për evakuimin e familjeve të prekura nga dalja e lumit Kalasë dhe për zhbllokimin e rrugëve ndërmjet fshatrave.
- Në Finiq po ndërhyhet për largimin e ujërave dhe mbështetjen e familjeve të evakuuara.
- Në Selenicë po pastrohen rrëshqitjet në aksin Brataj–Kuç.
- Në Sarandë po largohet uji nga banesat e përmbytura dhe po asistohen familjet.
- Niveli i Vjosës vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Qarku Fier
- Në Lushnjë po monitorohet situata nga dalja e lumit Seman në tokat bujqësore. Nuk ka rrezik për banesat.
- Strukturat vendore po garantojnë funksionimin normal të akseve rrugore, energjisë dhe ujësjellësit.
Qarku Elbasan
- Në akset Elbasan–Peqin dhe Elbasan–Librazhd po pastrohen dhe lirohen rrugët nga inertet.
- Në Gramsh po ndërhyhet me mjete për të shmangur daljen e lumit Kerpicë nga shtrati.
Qarku Berat
- Në Berat po vendosen prita mbrojtëse dhe po pastrohen rrugët për shkak të prurjeve të Osumit, i cili ka përmbytur qindra hektarë tokë.
- Në Poliçan dhe Dimal po ndërhyhet në zonat ku lumi ka dalë nga shtrati dhe po ndihmohen familjet e prekura.
- Aksi Berat–Poliçan po pastrohet nga gurët dhe inertet.
Qarku Korçë
- Në Devoll dhe Miras po punohet për riparimin e urave të dëmtuara.
- Në Denas–Lekas po monitorohet aksi rrugor ku ka prezencë uji.
- Në Vithkuq e Bulgarec po ndërhyhet pranë banesave të rrezikuara nga prania e ujit.
- Në Maliq e Kolonjë ekipet po ndërhyjnë për të riparuar pasojat e rrëshqitjeve të dherave.
- Po monitorohet rezervuari i Rotit, ku niveli i ujit është rritur.
Qarku Dibër
- Në Dibër dhe Klos po punohet për pastrimin e përrenjve që kanë dalë nga shtrati dhe për mbrojtjen e banesave të rrezikuara.
- Në Mat janë angazhuar mbi 40 forca me mjete të specializuara për hapjen e rrugëve të dëmtuara, evakuimin e familjeve dhe menaxhimin e përmbytjeve në shkolla e banesa.
- Në disa akse rurale në Dërjan, Rukaj, Macukull e Lis po punohet për rikthimin e qarkullimit.
“`
