Akuzë e re për Ballukun lidhur me tenderin për Unazën e Tiranës, loti 4
Belinda Balluku do të përballet me një akuzë të re nga SPAK, këtë herë lidhur me tenderin për lotin 4 të Unazës së Tiranës. Ky lot përfshin pjesën e rrugës që kalon në zonën e Shkozës.
Detajet e plota të zbuluara nga prokuroria e posaçme për këtë çështje nuk janë ende të qarta. Megjithatë, më herët zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e ka cilësuar këtë pjesë rrugore si “shumë komplekse”.
Gjatë një inspektimi të lotit 4 vitin e kaluar, Balluku deklaroi se “këtu nevojitej ndërtimi i një ure rreth 420 metra për të ardhur në të njëjtin nivel me lotin 3. Ky ka qenë një nga segmentet më të vështira të Unazës së Madhe të Tiranës edhe për shkak të një numri të lartë ndërtimesh pa leje”.
Unaza e Madhe e Tiranës është një segment prej 27 kilometrash, që lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët kombëtare dalëse.
Më herët, Belinda Balluku u mor si e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë, ndërsa gjykata vendosi shkarkimin e saj nga detyra.
