Eksportet e Pijeve & Alkoolit: Rritje 33.5% në 8-mujor

Investimet në kantina, eksportet e pijeve dhe alkoolit rriten me 33.5% në 8-mujor

Eksportet e pijeve, alkoolit dhe uthullave po shënojnë një rritje të konsiderueshme gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, në periudhën janar-gusht 2026, eksportet e këtij grupi arritën në 3.02 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej mbi 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në tetëmujorin e vitit 2026, eksportet e pijeve përbënë 9% të totalit të eksportit të ushqimeve.

Kjo rritje vjen në një periudhë kur industria e pijeve, veçanërisht ajo e verës, ka shtuar gradualisht kapacitetet prodhuese dhe po përpiqet të hyjë në tregje të reja. Prodhuesit e verës, të intervistuar më herët nga “Monitor”, theksuan se viti 2025 pati një prodhim të lartë rrepi, si në sasi, ashtu edhe në cilësi, i favorizuar nga kushtet klimatike dhe zgjerimi i sipërfaqeve të mbjella me vreshta. Prodhimi më i lartë ka krijuar më shumë mundësi për orientimin e një pjese të prodhimit drejt eksportit, në një kohë kur tregu vendas vijon të përballet me konkurrencë të fortë nga pijet e importuara.

Kantinat shqiptare kanë raportuar gjithashtu përpjekje për zgjerimin e shitjeve në tregjet europiane dhe më gjerë. Në raste të mëparshme, prodhuesit vendas e kanë lidhur rritjen e eksporteve pikërisht me zgjerimin e pranisë në tregje të huaja. Një tjetër faktor që mbështet orientimin drejt tregjeve të jashtme është rritja e promovimit të produkteve shqiptare. Për shembull, në vitin 2025, prodhues shqiptarë morën pjesë me 20 etiketa premium në panairin ndërkombëtar “Wine Paris”, në përpjekje për të zgjeruar praninë në tregjet e huaja.

Rritja e vitit 2026 është e rëndësishme edhe në raport me ecurinë historike. Eksportet e pijeve, alkoolit dhe uthullave ishin vetëm 555 milionë lekë në vitin 2015, ndërsa arritën kulmin prej 3.83 miliardë lekësh në vitin 2024, duke u shtatëfishuar. Megjithatë, në vitin 2025, tendenca u ndërpre dhe eksportet zbritën në 3.55 miliardë lekë, me një rënie prej rreth 7.4% krahasuar me vitin 2024, për shkak të dobësive në prodhim. Por, vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2026, eksportet kanë arritur në 3.02 miliardë lekë, ose rreth 85% të vlerës së realizuar gjatë gjithë vitit 2025. Rikuperimi i kësaj kategorie bie në sy edhe në një periudhë kur eksportet shqiptare në tërësi po kalojnë ditë të vështira. Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në gusht, eksportet u rritën me vetëm 1.6%, të ndikuara nga performanca e dobët e tekstileve dhe këpucëve, si dhe rritja më e ulët e materialeve të ndërtimit, metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse e energjisë, të cilat kishin dhënë një efekt të fortë në korrik.

Scroll to Top