SPAK: Balluku pezulluar për tenderat e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Tiranës
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sqaruar nëpërmjet një njoftimi për shtyp, të enjten në mbrëmje, paligjshmëritë e kryera nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe vartësit e saj, të cilat kanë çuar në kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj tyre.
Përveç masave të pezullimit nga detyra dhe ndalimit të daljes jashtë shtetit për Belinda Ballukun, është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpiak” për administratorin e KESH, Erald Elezi, dhe drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli. SPAK ka njoftuar se masat e sigurimit janë ekzekutuar të enjten.
Prokuroria sqaron se gjatë hetimit janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi.
Tenderi për Tunelin e Llogarasë
Në tenderin me objekt ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, me fond limit mbi 18.9 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë evidentuar veprime të kundërligjshme të pandehures Belinda Balluku. Ajo, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, që nga faza përgatitore deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.
“E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues ‘I….dhe A…..’”, thuhet në njoftim.
Gjatë kryerjes së veprimeve, Evis Berberi mbante funksionin si drejtor i Përgjithshëm i ARRSH; Erald Elezi ishte drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH; Gentian Gjyli drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes në ARRSH, ndërsa Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica kanë qenë specialiste të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Tenderi për Unazën e Tiranës
Tenderi i dytë ku Balluku është gjetur përgjegjëse është ai i Lotit 4 të Unazës së Jashtme Tiranë në vitin 2021, me fond limit 2 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ARRSH. Sipas SPAK, edhe në këtë rast Balluku ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik.
Balluku akuzohet se, në bashkëpunim me Berberin, tre anëtarët e njësisë së prokurimit (shtetasit J.Ç, A.K. dhe D.Xh), si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (Erald Elezi, K.K. dhe M.Sh.), kanë paracaktuar fituesin e tenderit duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë të shpallur fitues.
Sipas SPAK, hetimet janë kryer me metoda speciale, grumbullim provash digjitale dhe veprime të tjera hetimore.
Ndërkohë, Evis Berberi është nën akuzë dhe i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash, së bashku me dy persona të tjerë me të cilët kishte marrëdhënie në një shoqëri të zotëruar prej tij.
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Edi Ramës në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe për më shumë se pesë vite ka drejtuar një nga portofolët më të mëdha qeveritare. Ajo është zyrtarja më e lartë që aktualisht përballet me akuza penale nga SPAK, pas një sërë bashkëpunëtorësh të ngushtë të kryeministrit që kanë humbur postet e tyre për shkak të hetimeve, përfshirë ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn, ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqajn dhe më herët ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin.