SPAK reagon zyrtarisht, Ballukut i shtohet edhe një dosje tjetër
Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK) ka njoftuar se, në vijim të hetimeve për procedimin penal nr. 136 të vitit 2025, janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.
Këto shkelje kanë ndodhur në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi:
- Ndërtimi i tunelit të Llogarasë: Pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë të autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), me fond limit 18.967.810.952 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
- Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4: Me numër REF-02817-08-13-2021 dhe fond limit 2.096.958.794 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Lidhur me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë”, SPAK ka evidentuar veprime të kundraligjshme të ish-ministres Belinda Balluku. Sipas njoftimit, ajo, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën, duke filluar nga faza përgatitore, zhvillimi, dorëzimi dhe vlerësimi i ofertave, deri te lidhja e kontratës me operatorin ekonomik fitues.
Në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët janë identifikuar si Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, Belinda Balluku akuzohet se ka paracaktuar fituesin e kësaj procedure, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues “I….dhe A…..”. Në kohën e kryerjes së veprimeve, të pandehurit mbanin funksione si Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes, si dhe Specialistë të Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Për procedurën e prokurimit “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, Belinda Balluku, në cilësinë e Ministres, akuzohet se ka ndjekur dhe orientuar në mënyrë të ngjashme procedurën. Në bashkëpunim me Evis Berberi dhe anëtarë të Njësisë së Prokurimit e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (të cilët janë identifikuar si J.Ç, A.K., D.Xh, Erald Elezi, K.K, M.Sh.), është dyshuar për paracaktimin e fituesit dhe krijimin e avantazheve për bashkimin e operatorëve ekonomikë “E…” sh.p.k, “P…”sh.p.k, dhe “N…”sh.p.k.
Gjatë këtyre dy procedurave janë evidentuar veprime në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”, VKM nr. 285, datë 19.05.2021, si dhe ligjin nr. 9367, datë 07.04.2005 “Për Parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.
Pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, ka caktuar masa sigurimi personal:
- Ndaj të pandehurës Belinda Balluku, është vendosur masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” (zv.kryeministër dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë), për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
- Ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, është caktuar masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, lidhur me procedurën e tunelit të Llogarasë.
- Ndaj të pandehurit Erald Elezi, është caktuar masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, lidhur si me procedurën e tunelit të Llogarasë, ashtu edhe me procedurën e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4.
Me datë 20.11.2025, janë ekzekutuar masat e sigurimit personal për Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Hetimet janë kryer duke përdorur metoda speciale, grumbullim provash digjitale dhe veprime të tjera hetimore. SPAK vijon hetimet për këtë procedim penal.
