Tensionet politike sfidojnë unitetin e Policisë së Kosovës
Olga Stefanoviç kujton ditën kur veshi për herë të parë uniformën e policisë së Kosovës. Ishte 20 janar 2003, më pak se katër vite pas përfundimit të luftës. “Burri im u bë pjesë e policisë në vitin 2000 dhe përmes tij mësova më shumë për profesionin,” tha Stefanoviç, një serbe nga fshati Leshak në komunën veriore të Leposaviqit. “Në atë kohë mendoja se do të ishte vetëm për një periudhë të shkurtër; nuk e dija që do të qëndroja pranë këtij institucioni për gati 22 vjet.”
Gjatë këtyre 22 viteve, Kosova kaloi nga një territor nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara në një shtet të pavarur, i njohur nga mbi 100 vende, por jo nga Serbia apo mbështetësja e saj kryesore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia. Në një vend me shumicë shqiptare, 47-vjeçarja Stefanoviç përfaqëson një histori suksesi: një grua serbe që nga police patrulluese u bë hetuese për dhunën në familje dhe tani drejton departamentin e trajnimeve të specializuara në Akademinë e Sigurisë Publike të Kosovës, me gradën major. Përveç serbishtes dhe anglishtes, ajo flet edhe shqip.
Sipas të dhënave zyrtare, 8,642 zyrtarë policorë të Kosovës vijnë nga të gjitha komunitetet: shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, romë, ashkalinj, egjiptianë, çerkezë, goranë dhe malazezë. Megjithatë, procesi i krijimit të një force policore multi-etnike ka qenë i vështirë, kryesisht për shkak të tensioneve të vazhdueshme midis Serbisë dhe Kosovës për një proces të “normalizimit” të ndërmjetësuar nga BE-ja, që ka zgjatur me vite me përparim të kufizuar. Veprimet e policisë kontrollohen rregullisht për çdo shenjë paragjykimi.
Në vitin 2022, në mes të një vale tjetër tensionesh, qindra zyrtarë policorë serbë u larguan nga vendet e punës në sektorin publik në Kosovë, duke përfshirë policinë dhe gjykatat, duke shkaktuar një goditje të madhe për forcën. Stefanoviç nuk ishte ndër ta. “Megjithëse Policia e Kosovës ka bërë përpjekje për të nxitur diversitetin dhe përfshirjen, tensionet politike dhe etnike të vazhdueshme e bëjnë të vështirë që policia të funksionojë si një institucion vërtet i unifikuar,” tha eksperti i sigurisë Drizan Shala.
“Të veshësh uniformën është nder”
Njëzet vjet pasi Stefanoviç u bë pjesë e policisë, edhe Besiana Sejdijaj, 21 vjeçe, u regjistrua si anëtare e komunitetit egjiptian në Pejë. “Prindërit më thanë se kur isha tre ose katër vjeçe, kisha shumë frikë nga policia,” i tha Sejdijaj BIRN-it. “Por për habinë time, me kalimin e viteve kjo frikë u kthye në ëndrrën time më të madhe për t’u bërë police.” Kjo ëndërr e çoi atë në veri të Kosovës dhe në stacionin policor në Zubin Potok, një nga katër komunat kryesisht me popullatë serbe që kufizohen me Serbinë. Kjo zonë ka qenë prej kohësh qendra e tensioneve, ndërsa Kosova kërkon të zgjerojë juridiksionin e saj mbi këto komuna për të dobësuar ndikimin e strukturave paralele të Serbisë.
“Familja ime më ka mbështetur shumë në këtë rrugëtim,” tha Sejdijaj. “Në fillim, ata hezituan pak sepse kur u pranova në Policinë e Kosovës dhe u stacionova në rajonin verior të Mitrovicës… ata kishin frikë për mua. Por unë isha gati dhe e kuptoja situatën, sepse aplikova posaçërisht për pozicionin në komunitetin verior. Më në fund, ata e pranuan sepse e dinin për ëndrrën time.”
Krijimi i një force policore multi-etnike është parë prej kohësh si një parakusht për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve të Kosovës pas luftës së vitit 1998-1999, kur forcat jugosllave dhe serbe ushtruan një luftë brutale kundër kryengritësve, duke përfshirë krime kundër civilëve dhe spastrim etnik. Sulmet ajrore të NATO-s detyruan tërheqjen e forcave serbe dhe Kosova u vu nën kontrollin e OKB-së para se të shpallte pavarësinë në shkurt 2008.
“Trajtimi i drejtë i pakicave brenda organizatës ka qenë dhe mbetet detyrë e Policisë së Kosovës,” tha zyra e medias së PK-së për BIRN. Kushtrim Hodaj, Kryeshef i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, tha se nuk kanë asnjë rast të regjistruar për ndonjë incident që rrjedh nga etnia e zyrtarëve. “Në bazat tona të të dhënave nuk ka raste ku zyrtarët policorë nga ndonjë komunitet kanë raportuar se janë ndjerë të diskriminuar për shkak të etnisë apo fesë që i përkasin,” tha Hodaj. “Sa i përket promovimeve dhe pozitave drejtuese, nuk kemi marrë asnjë ankesë dhe as nuk ka raste ku dikush është promovuar ose jo për shkak të përkatësisë së tij etnike.” Megjithatë, ai pranoi se dorëheqja e mbi 600 policëve serbë “ka prishur balancën e përfaqësimit etnik”.
Rashit Qalaj, deputet dhe anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes në parlament, akuzoi Serbinë se po përpiqet të mbajë ndikimin mbi serbët në veri të Kosovës. “Serbia po përdor të gjithë aparatin e saj shtetëror për të mbajtur kontroll të plotë mbi komunitetin serb duke përdorur frikësim, shantazh dhe kërcënime, duke sajuar incidente dhe përdorur forcë kundër individëve që mendojnë ndryshe,” tha Qalaj.
Shala, eksperti i sigurisë, tha se dorëheqjet kanë minuar aftësinë e forcës për të mbajtur rendin në veri. “Këto largime krijuan nevojë të menjëhershme për zëvendësim të policëve dhe ngritën pyetje rreth efikasitetit dhe kohezionit të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit,” tha ai. “Situata gjithashtu ka kontribuar në një polarizim të mëtejshëm ndërmjet komuniteteve etnike, pasi popullata lokale serbe, që kryesisht nuk i beson autoriteteve qendrore të Kosovës, i sheh me dyshim policinë e Kosovës.”
“Paragjykimet ndaj grave me uniformë”
Stefanoviç kujton se kur u bë pjesë e policisë, familja e mbështeti, por jo domosdoshmërisht komuniteti lokal. “Kisha mbështetjen e familjes, por nuk jam e sigurt nëse komuniteti kishte opinion pozitiv për punën time,” tha ajo. Dhe nuk ishte vetëm për faktin që një serbe u bë pjesë e një force kryesisht shqiptare. Ishte edhe çështja e gjinisë. “Ne jetojmë në një shoqëri ku ekzistojnë paragjykime ndaj grave si police, por me qëndrimin tim ndaj punës dhe marrëdhëniet me kolegët dhe qytetarët, nuk kam lënë hapësirë për këto paragjykime,” tha Stefanoviç.
Megjithatë, burrat vazhdojnë të dominojnë, duke përbërë pak më shumë se 86 për qind të forcës. Stefanoviç tha se ka qenë e kujdesshme të ndërtojë marrëdhënie profesionale me kolegët. “Në ambientin tim, të gjithë kolegët vijnë nga komunitete të ndryshme dhe, duke marrë parasysh këtë, kam ndërtuar besim të ndërsjellë që na ka ndihmuar të shmangim situata të pakëndshme,” tha ajo. “Përveç çështjeve zyrtare, ndonjëherë ndajmë dhe diskutojmë çështje private, por kjo është vetëm me një numër të vogël kolegësh.” Ajo vuri në dukje se kurrë nuk është ftuar nga kolegë të komuniteteve tjera në evente familjare, as nuk i ka ftuar vetë, përveç rasteve të vdekjes, ku “herë pas here shkoj të shpreh ngushëllime”.
Togeri Reshat Hyseni, një shqiptar që u bashkua me forcën pak muaj para Stefanoviç, ofroi një pamje paksa të ndryshme. “Marrëdhëniet e mira mes nesh kanë një vlerë të madhe pasi ndikojnë pozitivisht në vullnetin, dëshirën dhe profesionalizmin tonë në kryerjen e detyrave zyrtare,” tha ai. “Kjo na ka lejuar të njohim më mirë njëri-tjetrin dhe natyrisht jemi ftuar dhe vazhdojmë të ftohemi në evente familjare ose raste ngushëllimi dhe përgjigjet ndaj këtyre ftesave janë reciproke.”
Merita Kadriu-Berisha, e cila u bashkua me forcën në vitin 2013, theksoi mbështetjen brenda njësisë së saj, të cilën e përshkroi si “një familje”. “Njësia jonë, sa herë ka fushata rekrutimi për komunitetet, del dhe bën fushata ndërgjegjësimi, duke ndihmuar në integrimin e tyre në Policinë e Kosovës,” tha ajo. “Si shumë fëmijë, gjithmonë kam ëndërruar të bëhem police.” Kadriu-Berisha tani ka tre fëmijë të saj – të gjitha vajza. “Mendoj se secili prej nesh duhet të gjejë energji shtesë për të dhënë kontributin më të mirë, si në jetën private, ashtu edhe në detyrat policore,” tha ajo.
Sejdijaj tha se gjuha mbetet një sfidë në veri, ku ajo punon. “Kur qytetarët kuptojnë shqip, unë flas me ta sepse disa qytetarë serbë kuptojnë shqip,” tha ajo. “Nëse jo, atëherë kolegët e mi serbë më ndihmojnë.”