“`html
Masat ndaj Ballukut, GJKKO: Nuk pengohet të ushtrojë mandatin si deputete
Gjykata e Durrësit ka vendosur për caktimin e masës së sigurimit për Belinda Ballukun, duke pezulluar nga detyra lidhur me funksionin e saj si zëvendëskryeministre dhe ministre. Në vendim, bëhet e ditur se sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon pezullimin e ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.
Megjithatë, konstatohet se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit electoral, duke përfshirë deputetët, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.
Gjyqtari Çela ka vlerësuar se, bazuar në rrethanat konkrete, masat më të përshtatshme ndaj Ballukut kanë qenë pezullimi nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit. Gjykata thekson se këto masa sigurimi personal nuk e pengojnë Belinda Ballukun të ushtrojë funksionet e saj si deputete e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.
Argumentimi i gjyqtarit Erion Çela për caktimin e masave të sigurisë për Ballukun:
- Gjykata vlerëson se në caktimin e masës së sigurimit personal duhen marrë në konsideratë kritere të tilla si: rëndësia e faktit, rrezikshmëria shoqërore e veprave penale për të cilat akuzohet/dyshohet, përhapja e këtyre veprave, roli i të pandehurës në kryerjen e veprës penale në bashkëpunim, pasojat e ardhura nga vepra penale, mosha, gjendja gjyqësore, si dhe gjendja shoqërore e familjare (me gjendje civile të divorcuar, kryefamiljare, me dy fëmijë).
- Të gjitha këto rrethana e bëjnë të domosdoshme dhe në përputhje me nevojën e sigurimit caktimin e njëkohshëm të masës “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” (neni 233 i K.Pr.Penale) dhe masës “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” (neni 242 i K.Pr.Penale) ndaj Belinda Ballukut.
- Në vlerësimin e gjykatës, këto masa sigurimi personal janë më të përshtatshmet në raport me rëndësinë e faktit dhe masën e dënimit që parashikohet nga neni 258/2 i K.Penal, si dhe faktin që akuzohet/dyshohet për kryerjen e veprës penale dy herë dhe në bashkëpunim.
- Në rastin konkret, nuk ka ndalim ligjor që sipas nenit 242 të K.Pr.Penale të zbatohet ndaj Belinda Ballukut masa e pezullimit nga detyra e Zv.Kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
- Neni 242 i K.Pr.Penale parashikon: “1. Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. 2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit electoral.”
- Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë përcakton personat e zgjedhur, duke përfshirë deputetët, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.
- Në rastin konkret, për mbarëvajtjen e procedimit, vlerësohet më e përshtatshme caktimi i dy masave sigurimi për Belinda Ballukun: “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik (Zv.Kryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë)”, të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale.
- Gjykata çmon të theksojë se caktimi i këtyre masave sigurimi personal nuk e pengojnë Belinda Ballukun të ushtrojë funksionet e saj si deputete e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.
“`
