Nga nesër ndalohet transporti publik në Prishtinë. Rama: Qeveria na ka bllokuar fondet.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media ka reaguar lidhur me situatën financiare dhe institucionale në kryeqytetin e Kosovës, duke theksuar se qytetarët po rrezikohen si asnjëherë më parë.
Rama tha se kanë kërkuar alokimin e buxhetit dhe theksoi se bllokimi i tij erdhi si pasojë e çështjeve politike.
“Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë që qytetarët të rrezikohen deri në këtë shkallë. Për herë të parë në historinë e Kosovës, po ndodh që qeveria qendrore t’i bllokojë të hyrat vetanake të Kryeqytetit, duke prekur shërbime jetike. Këto janë funksione elementare për mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve tona. Më shumë se një vit, në mënyrë të vazhdueshme dhe duke respektuar plotësisht dispozitat ligjore, kemi kërkuar alokimin e buxhetit të nevojshëm për Kryeqytetin. Megjithatë, asnjë kërkesë nuk është trajtuar. Buxheti i Prishtinës është bllokuar për arsye krejtësisht politike. Bëhet fjalë për 35 milionë euro, prej të cilave 25 milionë euro janë të hyra vetanake dhe 10 milionë euro janë grant qeveritar, të cilat janë bllokuar nga Ministria e Financave, në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë Murati për shkelje të ligjit. Jemi drejtuar edhe te kryeministri, presidentja dhe Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga dhe shërbimet bazike janë në rrezik,” – tha Rama.
Ai bëri të ditur se situata ka arritur në pikën kritike, duke konfirmuar ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme.
“Sapo e përfundova takimin me përfaqësuesit e ndërmarrjes së transportit publik dhe të shoqatës së transportit privat dhe, që nga nesër, transporti publik, fatkeqësisht, do të ndalohet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për shkak të çështjeve të biznesit,” – theksoi ai.
Rama u bëri thirrje institucioneve qendrore që të ndërhyjnë menjëherë për të zhbllokuar situatën.
“Në cilësinë e kryetarit të kryeqytetit, qytetarët janë përcaktuar që unë ta drejtoj edhe për një mandat. Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve, zyrtarëve dhe ministrave: veproni. Zgjedhjet kanë përfunduar, tani është koha t’u kthehemi punës,” – shtoi ai.
