Greqia shpall gazetarin Artan Hoxha “non grata”
Gazetari investigativ Artan Hoxha është shpallur “person non grata” nga autoritetet e Republikës së Greqisë dhe i është ndaluar hyrja përgjithmonë në territorin grek. Ai konsiderohet “i padëshirueshëm” dhe “kërcënim për rendin publik dhe sigurinë e brendshme”.
Vendimi iu komunikua të martën në pikën kufitare të Kakavijës, ku Hoxha po udhëtonte drejt Janinës. Sipas gazetarit, policia greke e kufirit e ndaloi atë në sportelin e kontrollit të pasaportave. Pasi i morën dokumentin e udhëtimit, atë e mbajtën rreth një orë në komisariat.
Rreth orës 10:30, Hoxhës iu dorëzua vendimi që e përjashton nga hyrja në Greqi për një afat të pacaktuar. Në dokumentin zyrtar thuhej se ai:
- është karakterizuar si person i padëshirueshëm;
- konsiderohet rrezik për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të BE-së.
Pas njoftimit, policia greke i vendosi një kryq me stilolaps mbi vulën e hyrjes në pasaportë dhe e urdhëroi të largohej menjëherë nga territori grek.
Ky nuk është rasti i parë i ndalimit të gazetarëve shqiptarë nga autoritetet greke. Më herët, i njëjti vendim është marrë edhe për gazetarin e Top Channel, Marin Mema, i cili vazhdon të mos lejohet të hyjë në Greqi.
