Propozimi amerikan për paqe: Kaja Kallas thekson se BE-ja nuk duhet të lëshojë presionin ndaj Rusisë; Ukraina është viktimë, asnjë territor nuk do të kompro metohet
Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka mirëpritur diskutimet rreth propozimit prej 28 pikash për paqe të presidentit amerikan Donald Trump. Megjithatë, ajo ka paralajmëruar se presioni ndaj Rusisë nuk duhet të zvogëlohet.
“Nuk duhet të harrojmë kush nuk dëshiron paqe, dhe kjo është Rusia. Deri më tani, nuk kemi dëgjuar asnjë lëshim nga ana e saj”, deklaroi Kallas për CNN.
Kallas nënvizoi se në luftën e Ukrainës ka një viktimë dhe një agresor. Ajo shtoi se Ukraina nuk duhet të lëshojë asnjë territor, pasi në rast të kundërt, ajo do të ishte viktimë.
“Në këtë luftë ka një viktimë dhe një agresor. Nuk mund të flasim për atë që duhet të dorëzojë Ukraina, kur ajo nuk ka kryer asnjë agresion”, u shpreh Kallas.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësime lidhur me drejtimin e bisedimeve të paqes, duke kërkuar më shumë vëmendje mbi rolin dhe angazhimin e Rusisë, dhe më pak mbi detyrimet që mund t’i vendosen Kievit.
“Cilat janë kërkesat ndaj Rusisë?”, pyeti ajo, duke theksuar se asnjë nga 28 pikat e planit të Trump nuk parashikon lëshime nga Moska.
“Hapi i parë duhet të jetë kërkesa që Rusia të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare që ka shkelur deri tani”, shtoi Kallas.
Ajo vijoi duke thënë se kjo luftë nuk duhet të mbyllet me një fitore të njëanshme, veçanërisht për Ukrainën, e cila nuk ka pushtuar asnjë vend.
“Nëse vendosim kufizime mbi Ukrainën, një vend që nuk ka pushtuar askënd, atëherë Rusia merr pikërisht atë që dëshiron”, përfundoi ajo.
