Qeveria e Zelandës së Re ka miratuar një objektiv ambicioz për të eliminuar të gjitha macet e egra deri në vitin 2050.
Ky vendim synon të mbrojë biodiversitetin unik të vendit, siç njoftoi ministri i Mbrojtjes së Mjedisit, Tama Potaka. Macet e egra tani do të përfshihen zyrtarisht në programin “Predator-Free 2050”, një strategji e njohur ndërkombëtarisht për zhdukjen e plotë të specieve grabitqare invazive.
Plani fillestar, i cili u hartua një dekadë më parë, kishte shkaktuar protesta nga mbrojtësit e kafshëve. Ndryshe nga qasjet e mëparshme, ku macet e egra vetëm kapeshin dhe izoloheshin në disa zona, tani pritet një fushatë më e koordinuar dhe mbarëkombëtare, sipas raportimeve.
Vlerësohet se në Zelandën e Re jetojnë më shumë se 2.5 milionë mace endacake. Këto kafshë, të cilat mund të arrijnë deri në 1 metër gjatësi (përfshirë bishtin) dhe deri në 7 kg peshë, konsiderohen grabitqarë të rrezikshëm. Ato kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme mbi jetën e egër vendase, duke sjellë disa specie në prag të zhdukjes.
Ministri Potaka theksoi se “Macet do të trajtohen njëlloj si kunadhja, nuselala, miu apo posumi – janë grabitqarë vdekjeprurës”.
Duhet sqaruar se macet shtëpiake, ato që kanë pronarë, nuk përfshihen në këtë program zhdukjeje. Megjithatë, edhe ato konsiderohen një kërcënim i madh për zogjtë dhe speciet vendase.
Ky vendim ka nxitur debate të forta në Zelandën e Re, një vend i njohur për dashurinë ndaj maceve shtëpiake, ku familjet me mace janë ndër më të shumtat në botë. Megjithatë, ligjet për përgjegjësinë e pronarëve të kafshëve kanë qenë tradicionalisht të dobëta dhe të paqarta.
