Gjyqi për krerët e UÇK: Ende pa datë për vendimin
Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk kanë përcaktuar një datë të saktë se kur do të shpallet vendimi për katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zëdhënësi i gjykatës me seli në Hagë, Michael Doyle, deklaroi në një konferencë për shtyp se, sipas rregullave, vendimi pritet të merret brenda tre muajsh pas përfundimit të procesit. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e ngritura.
“Është në duart e gjyqtarëve. Megjithatë, ka afate të përcaktuara. Deklaratat përmbyllëse pritet të mbahen më 13 shkurt [2026]. Rregullat parashikojnë që gjyqtarët të kenë 90 ditë kohë për të marrë dhe shpallur vendimin. Pas kësaj, ekziston mundësia e një zgjatje shtesë prej dy muajsh për marrjen e vendimit dhe, në raste të jashtëzakonshme, mund të jetë edhe më gjatë. Nuk kam arsye specifike të pres që të jetë më gjatë se kaq, por thjesht nuk e dimë. Supozimi, sipas rregullave, është tre muaj dhe nëse do të ketë zgjatje të afatit, gjyqtarët do të ofrojnë një shpjegim dhe arsye”, tha Doyle.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi i tyre nisi në prill të vitit 2023. Fillimisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatë 125 dëshmitarë, ndërkohë që 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim. Në shtator të këtij viti, mbrojtja e Thaçit filloi paraqitjen e provave, ndërsa ajo e Krasniqit kishte paralajmëruar dy dëshmitarë në sallë dhe dy dëshmi me shkrim. Veseli dhe Selimi nuk do të paraqesin prova.
Midis dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit, të paraqitur në Hagë, ishin kryesisht zyrtarë të lartë perëndimorë me njohuri të drejtpërdrejta të ngjarjeve. Aty u përfshinë ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, dhe gjenerali amerikan në pension, Welsley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.
Para deklaratave përmbyllëse, palët do të dorëzojnë dosjet përfundimtare deri më 30 janar. Ndërkohë, Thaçi po përballet edhe me një rast tjetër për pengim të drejtësisë.
Michael Doyle theksoi se përderisa nuk dihet ende numri i dëshmitarëve, është e vështirë të parashikohet se sa mund të zgjasë gjykimi. Ai shtoi se “nuk pret” që ky gjykim të jetë i gjatë sa ai për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”. Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave, si dhe mbajtjen në paraburgim të paligjshëm dhe torturimin e qindra viktimave.
Aktakuza pretendon se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë. Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
