Deputeti Peçi në SPAK për akuza korrupsioni nga Ristani

Deputeti Tërmet Peçi në SPAK për akuza korrupsioni të ngritura nga Arben Ristani

Deputeti i Partisë Socialiste, Tërmet Peçi, ka kaluar më shumë se një orë në Prokurorinë e Posaçme. Pas daljes nga ambientet e prokurorisë, ai u pyet nga gazetarët, por nuk dha asnjë koment. Në fund, ish-kryebashkiaku i Tepelenës tha thjesht “të fala Ristanit”.

Deklarata e tij sugjeron se Peçi është paraqitur në SPAK lidhur me një denoncim të bërë nga Arben Ristani, i cili sipas Ristanit, në prill 2025, ka referuar një rast korrupsioni.

Arben Ristani ka depozituar në SPAK një kallëzim penal kundër kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, dhe drejtorit të bashkisë, Lorenc Bami. Ristani akuzon dy zyrtarët për krijimin e një skeme korrupsioni përmes tenderave, fondeve publike dhe pasurive shtetërore.

Sipas Ristanit, në vitin 2017, Bami themeloi kompaninë “NG STRUCTURES” përmes bashkëshortes së tij. Kjo kompani më pas ka fituar tendera në Tepelenë dhe Gjirokastër, kryesisht për projekte rindërtimi, me një vlerë që arrin deri në 66 milionë euro.

Ristani pretendon se kompania “NG STRUCTURES” është favorizuar edhe nga subjekti “IUMENTIS shpk”. Kjo e fundit, sipas tij, ka përfituar tokë publike dhe leje për një thertore rajonale, duke transferuar më pas paratë te kompania e drejtorit të bashkisë.

Po sipas Ristanit, në vitin 2019, Bami themeloi edhe kompaninë “Artreum Generation”, përmes së cilës mori nënkontraktime shtesë, përfshirë një tender për ujësjellësin në Memaliaj.

Paralelisht, Ristani pretendon se Peçi ka favorizuar motrën e tij, duke i dhuruar mijëra metra katrorë tokë publike në fshatin Rexhin për një agroturizëm. Ky projekt, sipas Ristanit, është financuar me rreth 1 milionë euro nga fondet IPARD, të administruara nga Frida Krifca.

“Ky është modeli i thertores korruptive ku janë futur paratë e qytetarëve të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Memaliajt,” deklaroi Ristani, duke premtuar se çdo pasuri e përfituar në mënyrë të paligjshme do të konfiskohet.

Ristani thekson se Tërmet Peçi dhe Lorenc Bami kanë krijuar një skemë korruptive për të përfituar 18 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Partia Demokratike premton se do t’i çojë para ligjit të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë publike dhe do të konfiskojë çdo pasuri të fituar në dëm të qytetarëve, duke i kthyer ato në buxhetin e shtetit.

Scroll to Top