Pesë persona janë arrestuar pranë një baze amerikane në Britani; Trump: Po përgatiteshin të shkaktonin dëme të mëdha
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se pesë personat e arrestuar pranë bazës ajrore RAF Fairford në Britaninë e Madhe dyshohet se po përgatiteshin të shkaktonin dëme të mëdha.
Duke folur për gazetarët, Trump tha se të dyshuarit ishin mbajtur nën vëzhgim për një periudhë të gjatë dhe se arrestimi u realizua falë bashkëpunimit mes autoriteteve amerikane dhe britanike.
“I kishim nën hetim. Ata donin t’i shkaktonin dëme të mëdha fortesës sonë dhe bashkëpunimi me britanikët funksionoi shumë mirë”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se nuk ishte i sigurt nëse në operacion kishte marrë pjesë Scotland Yard, por theksoi se autoritetet amerikane kishin bashkëpunuar me shumë prej strukturave britanike.
“Ishte fantastike. Të punoja me Britaninë, ishte një punë e mrekullueshme”, u shpreh presidenti amerikan.
Pesë burra janë arrestuar nën dyshimin për vepra penale sipas Aktit të Eksplozivëve dhe vijojnë të mbahen në paraburgim.
Policia britanike ishte njoftuar rreth orës 00:45 të së dielës për tre automjete të dyshimta që po udhëtonin në drejtim të RAF Fairford. Pas ndërhyrjes, autoritetet vendosën një kordon sigurie prej rreth 400 metrash rreth automjeteve, të cilat po i nënshtrohen ekzaminimeve.
Si masë paraprake, rreth 85 familje janë evakuuar nga zona.
Autoritetet britanike vijojnë hetimet për të përcaktuar natyrën e plotë të incidentit, ndërsa policia po bashkëpunon me strukturat kundër terrorizmit.
