VIDEO/ Tymi i dendur mbulon pjesën perëndimore të Londrës, zjarri i madh bie në një depo
Një zjarr i madh ka rënë ditën e sotme në Londër, ku një depo në Bridge Road është përfshirë nga flakët. Sipas burimeve nga autoritetet, në terren janë 150 zjarrfikës dhe 25 automjete.
Shkaku i zjarrit ende nuk dihet. Flakët kanë përfshirë një ndërtesë dy-katëshe që përdorej si depo dhe dyqan shitjeje me pakicë, rreth tre të katërtat e saj janë përfshirë plotësisht nga zjarri.
Zjarrfikësit u kanë kërkuar banorëve të zonës të mbyllin dyert dhe dritaret për shkak të sasisë së madhe të tymit të zi që po prodhohet. Tymi i dendur shihej në një pjesë të gjerë të Londrës perëndimore.
Situata konsiderohet tepër e rrezikshme pasi brenda depo-s dyshohet se ka fishekzjarre dhe bombola gazi. Për shkak të rrezikut të shpërthimeve të menjëhershme, të gjithë zjarrfikësve u është dhënë urdhër të tërhiqen dhe të vazhdojnë ndërhyrjen nga një distancë e sigurt.
Tymi i trashë vazhdon të jetë i dukshëm në një pjesë të madhe të perëndimit të Londrës, dhe autoritetet përsërisin thirrjen: mbani të mbyllura dritaret dhe dyert derisa të jepet sinjali i qetësimit.
