KLP rrëzon kërkesën e ILD-së për prokuroren e Sarandës

KLP rrëzon kërkesën e ILD-së për masë ndaj prokurores së Sarandës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka rrëzuar të martën një kërkesë të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurores Besiana Sadikaj.

KLP nuk ka gjetur shkelje në sjelljen e prokurores Sadikaj dhe ka rrëzuar si të paprovuara pretendimet e ILD-së se ajo kishte cenuar etikën profesionale.

Hetimi disiplinor ndaj prokurores Sadikaj ishte nisur bazuar në ankesat e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, i cili ishte shkarkuar në gusht nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Gjithashtu, edhe Sadikaj kishte depozituar gjashtë ankesa kundër Llahos, bazuar në të cilat KLP i kishte caktuar atij më parë dy masa disiplinore.

ILD-ja pretendonte se Sadikaj kishte kryer veprime në kundërshtim me standardet e etikës, duke u cilësuar si sjellje e padenja, e pahijshme, pa vetëpërmbajtje, si dhe në shkelje të parimit të garantimit të besimit të publikut tek drejtësia, në marrëdhënie me drejtuesin dhe personelin e administratës.

Sipas ILD-së, sjellja ishte kryer në zyrën e drejtuesit dhe për rrjedhojë kishte mundësi të ndiqej edhe nga magjistratët e tjerë të së njëjtës zyrë. Gjithashtu, u ngritën pretendime edhe për kontrollin e kryer në kompjuterët e oficerëve të policisë gjyqësore.

Gjatë seancave të mëparshme dëgjimore, janë pyetur në cilësinë e dëshmitarit edhe oficerë, lidhur me mënyrën e aksesimit të kompjuterëve nga prokurorja Sadikaj. Të dyja këto pretendime u rrëzuan nga KLP pas hetimit dhe pas dëshmive të personave të përfshirë.

Pas mbledhjes në dhomë këshillimi, KLP vendosi të rrëzojë kërkesën e ILD-së.

Scroll to Top