Shëndeti i Mbretit Harald V përkeqësohet: Gjendja e qëndrueshme

Ankth për Mbretin Norvegjez, Gjendja Shëndetësore e Mbretit Harald V Përkeqësohet

Gjendja shëndetësore e Mbretit Harald V të Norvegjisë është përkeqësuar, ndërsa monarku 86-vjeçar vijon të qëndrojë i shtruar në Spitalin Universitar të Oslos. Ai u hospitalizua pesë ditë më parë për shkak të mbajtjes së lëngjeve, të lidhura me aneminë.

Sipas raportit të parë mjekësor të publikuar nga Pallati Mbretëror i Oslos, gjendja e mbretit është aktualisht e qëndrueshme. Harald V po merr trajtim me antibiotikë për një infeksion bakterial në qarkullimin e gjakut dhe, sipas mjekëve, ka reaguar mirë ndaj trajtimit. Megjithatë, monarku do të vijojë të qëndrojë në spital dhe do të jetë në pushim mjekësor deri në një njoftim të mëtejshëm.

Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, djali i tij i madh, Princi i Kurorës Haakon, do të vazhdojë të ushtrojë detyrat si regjent, duke marrë përsipër përgjegjësitë institucionale dhe shtetërore të mbretit. Haakon ka qenë i angazhuar gjatë dy muajve të fundit në kujdesin dhe mbështetjen e bashkëshortes së tij, Princeshës Mette-Marit, e cila po rikuperohet pas një transplanti të mushkërive të kryer më 17 qershor.

Mbreti Harald V, i cili është në fronin norvegjez që prej vitit 1991, u shtrua në spital më 17 gusht pas komplikacioneve fizike të lidhura me një sëmundje kronike. Ky është një tjetër episod në një seri problemesh shëndetësore me të cilat është përballur monarku gjatë periudhës së fundit. Në fund të shkurtit, Harald V ishte shtruar urgjentisht në një spital në Santa Cruz, Tenerife, gjatë një pushimi privat me Mbretëreshën Sonja. Në atë rast, ai kishte marrë trajtim për dehidratim dhe një infeksion të lëkurës në njërën këmbë.

Pavarsisht problemeve të fundit shëndetësore, Pallati Mbretëror thekson se gjendja aktuale e mbretit është e qëndrueshme, ndërsa trajtimi mjekësor vijon nën monitorimin e stafit shëndetësor.

Scroll to Top