Dëshmia: Plagosja e 14-vjeçarit në Durrës, shkak një koment në TikTok
14-vjeçari, i cili plagosi një bashkëmoshatar të tij në Durrës, ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor, në prani të një psikologeje.
Adoleshenti me iniciale M.K. ka deklaruar se konflikti ka nisur për shkak të një komenti në TikTok. Sipas tij, më pas kishin rënë dakord të takoheshin për të sqaruar situatën. Megjithatë, gjatë takimit, situata mes tyre ka agravuar më tej, pasi të dy bashkëmoshatarët ishin shoqëruar nga miqtë e tyre.
14-vjeçari ka deklaruar gjithashtu se thikën e nxori për t’i trembur, por më pas e ka goditur disa herë. Ai shprehet i penduar dhe thekson se nuk dëshironte që ngjarja të arrinte deri në këtë pikë.
“Pak ditë më parë ngecëm për një koment në TikTok. Aty nisi. U grindëm me komente. Më pas lamë të takoheshim. Nga ana jonë, për t’u sqaruar. Po e dinim që ata do vinin me disa shokë. Edhe ne u bëmë një grup. E lamë të takoheshim diku pranë shtëpisë së tij. Shkuam aty, u takuam. Ata kishin marrë masa për ndonjë konflikt të mundshëm, gjithashtu edhe ne. Nisëm të debatojmë, kush je ti, kush jam unë! U përfshimë në një sherr masiv. Ata na qëlluan me mjete të forta. Unë nxora thikën. Më shumë për t’i trembur. Për vetëmbrojtje qëllova, se ishte më i madh dhe po më godiste. E godita disa herë, jo për ta vrarë apo plagosur, por për t’i trembur. Më vjen shumë keq që përfundoi në këtë mënyrë. Nuk desha që të shkonte kështu. Edhe ata na qëlluan me mjete të forta. Jam penduar shumë. Nuk doja të shkonte kështu”, ka dëshmuar 14-vjeçari.
